Dushan Vlahoviç do të luajë për herë të parë në një kompeticion europian dhe Juventusi ka nevojë për golat e tij sot në mbrëmje, në ndeshjen e parë të 1/8-ve të Championsit ndaj Vilarrealit. Një transfertë e vështirë kjo për italianët, të cilët kanë mungesa të rëndësishme, si Dibala, Kielini, Bernardeski dhe Kieza.
Juventusi synon të rikthehet te fitorja, pas dy barazimeve radhazi me Atalantën dhe Torinon. Trajneri Alegri e konsideron kualifikimin të hapur, me 50% shanse, ndaj dhe ka kërkuar nga të tijtë të japin gjithcka: “Nuk mund të mendojmë se jemi të kualifikuar, kemi 50% mundësi për të kaluar më tej”.

Alegri ka komentuar edhe rregullin e ri të golit në transfertë, që nuk vlen më si më parë: “As unë unk e di cila është diferenca, – ka thënë trajneri duke qeshur. – Mund të them që ka pro dhe kundër. E rëndësishme është që të bëjmë një ndeshje të bukur dhe pas 20 ditësh do të flitet për kalimin e turit”.
“Nëndetësja e verdhë”, siç quhet ndryshe Vilarreali, po kalon një moment shumë të mirë, me tri fitore dhe një barazim ndaj Realit në katër ndeshjet e fundit. Juventusi është i paralajmëruar.
Mbrëmjen e sotme luhet edhe ndeshja tjetër mes Lilës dhe Çelsit, ku kampionët në fuqi të Ligës së Europës janë favoritë për të kaluar turin ndaj francezëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




