Gjykata e Apelit në Tiranë ka dënuar me burg përjetë Vladimir Kurtin dhe me 26 vite burg Ruzhdi Hodën, të cilët akuzohen për vrasjen e shitësit të marketit Agim Buci në Kamëz në prill të vitit 2018.
Sipas hetimeve, autorët hynë në marketin e familjes Buci për t’i grabitur xhiron ditore dhe vrasjen e kryen në sy të fëmijës së mitur të çiftit. Para se të futeshin në dyqan, Vladimir Kurti ka nxjerrë pistoletën, ndërsa Rruzhdi Hoda mbante një thikë.
Gruaja e pronarit, 44-vjeçarja Rita Buci u përball e para me dy persona të maskuar dhe me kapelë të veshur sportiv.
Pasi i kërkuan paratë, gruaja u ka thënë se nuk kishte lekë, ndërsa mori një thikë e tentoi t’i godiste.
Në këtë moment autorët e qëlluan në këmbë me dy plumba pistolete, ndërsa djali i saj 6-vjeç u ul poshtë tavolinës.
Pasi dëgjoi të shtënat dhe ulërimat e bashkëshortes, Agim Buci mbërriti menjëherë në dyqan e tij dhe tentoi t’i hiqte maskën njërit prej autorëve.
Nga një distancë fare e shkurtër, ai u qëllua për vdekje në gjoks me pistoletë.
Pasi kanë qëlluar ndaj Bucit dhe bashkëshortes së tij Rita, autorët u larguan me vrap, pastaj kanë marrë makinën e parkuar aty pranë dhe u larguan në drejtim të Bovillës duke hedhur maskat.
Pas ngjarjes ata u shoqëruan nga policia, por më pas u liruan, por ky ishte vetëm një kurth.
Kurti dhe Hoda u liruan dhe gjatë bisedës telefonike të përgjuar mes tyre, 28-vjeçari i thotë mikut të tij Hoda.
“…i fshehe ato se, mua më morën në pyetje…”. Disa minuta më pas, të dy u arrestuan nga policia. Vladimir Kurti është një person me precedent penal, pasi më parë është dënuar për vjedhje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




