Futboll

Kuqezinjtë e Italisë poshtë mesatares, ‘shpëtojnë’ Strakosha dhe Bajrami

Gazeta Si – Fundjava që shkoi nuk ishte shumë e mirë për futbollistët e Kombëtares që luajnë në Serinë A. Vlerësimet për ta kanë qenë përgjithësisht poshtë mesatares. Asnjëri nuk mundi të linte gjurmë në ndeshjet e javës së 26-të, por pozitiv është fakti që të gjithë luajtën titullarë.

Lacio barazoi 1-1 në fushën e Udinezes. Strakosha dhe Hysaj ishin në fushë nga minuta e parë dhe u vlerësuan respektivisht me notën 6 dhe 5.5. Portieri kuqezi në fakt u dallua për disa pritje, duke e shpëtuar Lacion nga goli i dytë, kurse Hysaj ishte në një nivel poshtë mesatares, pasi gaboi edhe në rastin e golit të Udinezes.

Kumbulla gjatë ndeshjes me Veronën. Gazeta Si, 21 shkurt 2022

Marash Kumbulla ishte titullar në barazimin 2-2 të Romës ndaj Veronës. Edhe ai është vlerësuar me notën 5.5. Mbrojtja e Romës ishte në një ditë të keqe në atë ndeshje dhe Kumbulla nuk bëri përjashtim. Berat Gjimshiti nuk luajti një ndeshje të plotë ndaj Fiorentinës, ku Atalanta humbi 1-0 dhe mbrojtësi kuqezi mori notën 6. Ndeshja e tij u kushtëzua shumë nga kartoni i verdhë që mori që në fillim.

Nedim Bajrami dhe Kristjan Asllani edhe këtë fundjavë ishin të besuarit e trajnerit Andreacoli tek Empoli, që humbi 2-0 në fushën e Sampdorias. Bajrami ishte ndër të paktët lojtarë me një paraqitje pozitive tek Empoli dhe u vlerësua me notën 6, ndërsa Asllani mori notën 5.5.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë