Gazeta Si – Një protestë e pazakontë tek arbitri në Premier Ligë, ku në fakt gjithçka ndodh. Lojtari i Njukasëllit, Kris Vud, dyshohet se ka tallur mbrojtësin e Uest Hemit, Kurt Zouma, duke imituar macen. Mjaullimat e tij gjatë ndeshjes e kanë bezdisur jo pak lojtarin francez.
Kjo situatë e rrallë ka ndodhur gjatë ndeshjes mes Uest Hemit dhe Njukasëllit në Londër, që u mbyll në barazim 1-1. Dhe gjithçka lidhet me videon e disa ditëve më parë, kur Zouma keqtrajtonte dy macet e tij në shtëpi, duke shkaktuar një zemërim publik.

Përveç animalistëve, edhe klubi londinez e dënoi sjelljen e lojtarit të tij dhe e gjobiti. Po ashtu, francezi kërkoi ndjesë publikisht, por duket se nuk ka mjaftuar. Kundërshtari i ndeshjes së fundit e ka shfrytëzuar këtë situatë dhe Vud zgjodhi talljen me mjaullima gjatë gjithë lojës për të nxjerrë nga ‘faza” mbrojtësin, duke i humbur përqendrimin.
Kreig Dauzon i Uest Hemit u ankua tek arbitri i ndeshjes për këtë fakt, duke denoncuar sjelljen aspak sportive të Vud, ndërsa rrjetet sociale kanë mbështetur këtë të fundit, duke dënuar sërish atë që Zouma ka bërë me macet e tij. Një veprim, që duket se do ta shoqërojë për një kohë të gjatë futbollistin e Uest Hemit.

Përveç Vud, reagime ironike ndaj Zouma ka pasur edhe nga shkallët e stadiumit, ku disa tifozë të Njukasëllit mbanin në duar mace prej kartoni ose plastike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




