Futboll

Video/ Cikalleshi shpëton Koniasporin nga humbja, realizon në minutën e 100-të

Gazeta Si – Sokol Cikalleshi shënon përsëri në Turqi. Sulmuesi i Kombëtares ka realizuar një gol të rëndësishëm për Koniasporin në barazimin 4-4 me Kasimpashanë. Kavajasi ishte ai që mbylli ‘festivalin’ e golave në këtë sfidë rokamboleske, duke realizuar me penallti golin që i dha një pikë skuadrës së tij.

Ishte një ndeshje krejtësisht e hapur, siç e tregojnë edhe 8 golat që u shënuan. Cikalleshi u fut në fushën e blertë në minutën e 81-të, ashtu si dhe lojtari tjetër i Kombëtares, Endri Çekiçi. Sulmuesi me përvojë ktheu në gol penalltinë e fitur në minutën e 100-të, pasi shtesa ishte e gjatë.

Vetëm pak ditë më parë Cikalleshi shënoi një gol të bukur në kampionatin turk, me një gjysmëkthesë, ndërsa sot është ngjitur në kuotën e 7 golave. Lojtari i Kombëtares ka qenë gjithmonë protagonist me Koniasporin, që aktualisht mban vendin e dytë me 49 pikë, pas Trabzansporit kryesues me 60 pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë