Gazeta Si – Gjykata e Tiranës ka vendosur sot të bllokojë garën për presidentin e FSHF-së dhe Komitetin Ekzekutiv të saj në të gjithë vendin. Ky vendim vjen për faktin se duhen shqyrtuar të gjitha ankesat e bëra në gjykatë pas zgjedhjeve të bëra në Shoqatat Rajonale të Futbollit.
Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore është parashikuar të zhvillohet më 2 mars, por me situatën aktuale ka shumë mundësi që ajo të shtyhet. Pasi hodhi poshtë disa ditë më parë zgjedhjet e bëra nga Shoqata Rajonale e Futbollit të Tiranës dhe njohu si fitues kandidatin Eduard Prodani dhe jo Krenar Alimehmetin, Gjykata e Tiranës ka bllokuar tashmë gjithë procesin e zgjedhjeve të 2 marsit.

Vendimi i sotëm i Gjykatës së Tiranës do të thotë se pezullohet Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, po ashtu edhe komisioni i verifikimeve në FSHF për zgjedhjet.
Zgjedhjet e Shoqatave Rajonale të Futbollit në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Gjirokastër janë shoqëruar me akuza të forta për manipulim, për shtim të numrit të delegatëve nga përfaqësues të FSHF-së, ndaj dhe situata ka shkuar në gjykatë.
Ditët e fundit në vendin tonë kanë ardhur edhe disa përfaqësues të UEFA-s, të cilët po monitorojnë situatën dhe po njihen me detaje me të gjithë problematikën, me pretendimet e palëve të prekura në zgjedhje dhe me sistemin e përcaktimit të delegatëve që votojnë në zgjedhjet e 2 marsit.
Po ashtu, më parë bëri një vizitë në Tiranë edhe presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, i cili takoi presidentin e FSHF-së, Armand Duka, si dhe kryeministrin Edi Rama.
Vendimi i Gjykatës së Tiranës mund të konsiderohet një fitore e kryebashkiakut të Tiranës, Erjon Veliaj, i cili, si aksioner i klubit Tirana, ka dalë hapur kundër presidentit aktual të FSHF-së Armand Duka.
Në anën tjetër, FSHF vazhdon përgatitjet për zgjedhjet e 2 marsit, sikur asgjë të mos ketë ndodhur. Komiteti Ekzekutiv ka miratuar sot materialet e Asamblesë Zgjedhore, pasqyrat financiare për vitin 2021 dhe buxhetin e vitit 2022.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




