Gazeta Si – Presidenti Ilir Meta ka dekretuar gjyqtaren Arbena Ahmeti si anëtare të Gjykatës së Lartë. Në relacionin që shoqëron dekretin, Meta shprehet se me këtë emërim të ri, Gjykata e Lartë, nga sot, 16 shkurt 2022, bëhet me 10 (dhjetë) gjyqtarë, nga 19 anëtarë, që duhet të ketë.
Kështu, me emërimin e anëtarit të 10, plotësohet kuorumi për të zgjedhur anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.
“Presidenti i Republikës, në mbështetje të Kushtetutës, dhe me vullnetin që Gjykata e Lartë të jetë sa më shpejt plotësisht funksionale me të gjithë trupën e nevojshme të saj, i bën thirrje Këshillit të Lartë Gjyqësor që të vijojë punën me impenjim të plotë, të pandërprerë, me transparencë, me qëllim përfundimin pa vonesë të procedurave për plotësimin e Gjykatës së Lartë me të gjithë numrin e nevojshëm të gjyqtarëve”, thekson Meta.
Gjyqtarja Arbena Ahmeti u konfirmua në detyrë më 1 nëntor 2021, duke arritur të bindë Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK për barrën e provës për pasurinë, ashtu si dhe bashkëshorti i saj, prokurori Arens Çela, i cili e kaloi Vettingun me formë të prerë, megjithëse me shumicë votash.
Po ashtu, Ahmeti u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe u konsiderua se kishte arritur nivel kualifikues për profesionalizmin.
Vendimet e konfirmimit të bashkëshortëve Çela-Ahmeti nuk u ankimuan nga Institucioni Komisionerëve Publik dhe kanë marrë formë të prerë.
Ndërkohë, ambasadorët e SHBA-ve dhe BE-së kanë përshëndetur dekretimin e Ahmetit për të qenë gjykatësja e 10 në Gjykatën e Lartë.
Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, ambasadorja Yuri Kim tha se kjo rrit funksionalitetin e Gjykatës së Lartë, gjithashtu i mundëson të emërojë gjyqtarët për Gjykatën Kushtetuese.
Pak më vonë reagoi edhe ambasadori i BE-së Luigi Soreca, duke thënë se e vlerëson një veprim të tillë, sepse kjo i jep mundës Gjykatës së Lartë që të emërojë gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese.
“Me emërimin e gjyqtares së 10 arrihet kuorumi për emërimin nga kjo gjykatë të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese”, shkruan ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




