Gazeta Si – Zgjedhjet e 2 marsit për presidentin e FSHF-së janë një çështje më vete në futbollin shqiptar dhe jo vetëm. Kandidojnë presidenti aktual Armand Duka, Selejman Starova dhe Dritan Shakohoxha, ndërkohë që ka akuza të forta për manipulim në zgjedhjen e delegatëve të Shoqatave Rajonale, çka ka bërë që Prokuroria të nisë një hetim.
Pas përplasjeve në distancë mes kryebashkiaut të Tiranës, Erjon Veliaj, aksioner i klubit Tirana, si dhe vizitës në Tiranë të Ceferinit, presidentit të UEFA-s, situata këto duket më e qetë, edhe pse qëndrimet nuk kanë ndryshuar aspak.
Në Tiranë kanë qenë së fundi ekspertë të UEFA-s, që sipas FSHF-së, kanë ardhur për monitorimin e ndërhyrjeve nga palë të treta dhe mbledhjen e informacioneve për incidentet e fundit në proceset zgjedhore të shoqatave anëtare të FSHF-së në prag të zgjedhjeve të 2 marsit.
Një nga këta ekspertë, Luca Nicola, shefi i qeverisjes së federatave anëtare të UEFA-s, për Fshf.org është shprehur: “Së pari, për të shpjeguar kontekstin e misionit tonë, ne kemi ardhur në vijim të vizitës së fundit të presidentit të UEFA-s në Shqipëri, ku ai takoi kryeministrin e Shqipërisë dhe presidentin e FSHF-së.
Objektivi i misionit tonë është të vlerësojë procesin zgjedhor të FSHF-së edhe asamblenë zgjedhore të planifikuar për më 2 mars. Ky mision përfshin edhe vlerësimin e rasteve të mundshme të ndikimit të papërshtatshëm nga palët e treta në procesin zgjedhor. Do të përgatisim një raport për drejtuesit e UEFA-s dhe bazuar në këto gjetje ne do t’i komunikojmë FSHF-së qëndrimin e UEFA-s”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




