Para se të shpalleshin në kërkim prej nisjes së hetimeve nga SPAK dhe para se të zhdukeshin pa lënë gjurmë, pronarët e incineratorit të Elbasanit, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja boshatisën arkat e kompanisë.
Komisioni Hetimor parlamentar për koncesionet e incineratorëve vijoi me ditën e dytë të marrjes në pyetje të dëshmitarëve, ku të parët që u ulën përballë deputetëve ishin administratori i incineratorit të Elbasanit, Arjan Baçi dhe administratori i “Integrated Energy Services”, Farudin Arapi.
Baçi, si përfaqësues i shoqërisë “Albtek Energy” tha se përgjatë të gjithë periudhës së tij të funksionimit, incineratori i Elbasanit ka prodhuar rreth 13 milionë kw energji, ndërsa aktualisht nuk po prodhon, sepse procesi është i kushtueshëm.
Administratori i incineratorit të Elbasanit tha se energjia është marrë nga OSHEE, por tha se shoqëria nuk ka arkëtuar asnjë shumë nga shitja e energjisë për shkak se Enti Rregullator i Energjisë ka refuzuar të përcaktojë çmimin.
“Jemi në proces gjyqësor me ERE-n për këtë çështje”, tha Baçi.
Baçi, që ka më pak se 3 muaj në postin e administratorit të Albtek Energy tha se kur e ka marrë këtë detyrë arkat e kompanisë ishin të boshatisura.
Ai tha se në incineratorin e Elbasanit bashkitë i dorëzojnë mbetjet me kosto zero, ndërsa për momentin nuk po incinerohen, por po groposen në landfill.
Ndërkohë, Jorida Tabaku tha nga PD se një ndryshim i kontratës për këtë incinerator efektivisht ka dhënë për 25 vite një koncesion të dytë, ku kompanisë Albtek Energy i jepet për 25 vite të tjera prodhimi i energjisë elektrike, ndërsa shtetit i kalon djegësi dhe landfilli.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.