Drejtësia

Konfirmohet në detyrë drejtuesja e prokurorisë së Durrësit Anita Jella

Gazeta Si - Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka konfirmuar në detyrë drejtuesen e prokurorisë së Durrësit, Anita Jellën. Jella u ankimua nga Komisioneri Publik, por në fund u tërhoq nga kërkesa për shkarkim pas provave që solli prokurorja.

Ajo rezultoi e pastër në të treja shtyllat; atë të pasurisë, formimit profesional dhe pastërtisë së figurës, duke kaluar kështu Vetingun.

Kryesuesja e trupit gjykues Ina Rama  lexoi vendimin dhe e quajti vendimin e KPP-së të drejtë dhe të bazuar në ligj. Çështja nisi shqyrtimin në KPA më 15 shkurt 2022.

Jella e ka filluar karrierën si prokurore në Elbasan në vitet 2001-2003 dhe më pas ka punuar si drejtuese e Prokurorisë së Librazhdit deri në vitin 2007.

Pas rikthimit për një vit në Prokurorinë e Elbasanit, Jella u emërua prokurore në Prokurorinë e Durrësit, ku e ushtron funksionin prej 10 vitesh. Më 9 maj 2018, Anita Jella u caktua përkohësisht drejtuese e Prokurorisë së Durrësit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë