Futboll

Video/ Partizani përmbys Skënderbeun me Skukën, tifozët godasin arbitrin në Korçë

Përmbysje e madhe e Partizanit në Korçë. Në javën e 20-të të Abissnet Superiores, skuadra e kuqe fitoi 1-2 në transfertën me Skënderbeun, në një ndeshje që u komplikua shumë në pjesën e parë, pasi Mensah i kaloi vendësit në avantazh pas 20 minutash lojë.

Pas pushimit, trajneri Mehmeti hodhi në fushë sulmuesin Xhuljano Skuka, i cili realizoi 2 golat e fitores për Partizanin, fillimisht me një devijim të saktë me kokë dhe një minutë para fundit me një gjuajtje nga një pozicion shumë i prirët. Partizani afrohet disi me zonën europiane pas kësaj fitoreje, duke shkuar në kuotën e 28 pikëve.

Një episod i shëmtuar ndodhi në momentet e fundit të ndeshjes në Korçë, ku u godit me gur në kokë nga tifozët vendës një nga arbitrat anësorë. Loja u ndërpre disa minuta, pasi arbitri mori ndihmën mjekësore.

Laçi ka mundur Dinamon në “Elbasan Arena”, falë një goli të Guindo. Për skuadrën e drejtuar nga trajneri Mirel Josa ishte fitorja e katërt radhazi, ndërsa në anën tjetër, Bledar Devolli ka regjistruar dy humbje në ndeshjet që drejton blutë.

Laçi shtoi presionin te Tirana, e cila mundi 2-0 Egnatian në “Air Albania”, me golat e Xhixhës dhe Hotit. Kryeqytetasit kryesojnë me 46 pikë pas javës së 20-të, të ndjekur nga Laçi, me 40 pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë