Futboll

Teo Hernandez rinovon deri në 2026-ën: Kam dashur gjithmonë vetëm Milanin

Ja ku vjen edhe firma, e zeza mbi të bardhë. Teo Hernandez ka rinovuar kontratën me Milanin deri në vitin 2026. I ardhur në verën e 2019-ës, me 19 gola dhe 18 asiste në 108 ndeshje, mbrojtësi francez do të vazhdojë të luajë me klubin kuqezi, ku gjithmonë ka deklaruar se dëshiron të qëndrojë. “Nëse është e mundur, do të qëndroja përjetë te Milani”, – ka thënë ai.

Teo Hernnadez ka rinovuar për 4 milionë euro në vit, plus bonuset. Një rritje e konsiderueshme, po të kemi parasysh se deri tani merrte 1.5 milionë. Maldini e bindi të zgjidhte Milanin me një ‘blitz’ në Ibiza dhe tani historia vazhdon. Bëhet fjalë për rinovimin e 6-të të sezonit, pas Kalabrias, Saelemaekers, Kjaer, Piolit dhe Gabias.

Teo Hernandez feston nje gol me Milanin. Gazeta Si, 11 shkurt 2022

“Jam shumë i lumtur. Nga dita e parë jam ndjerë shumë mirë këtu, me të gjithë, që nga Maldini, skuadra dhe stafi. Për këtë arsye kam rinovuar. Duhet të vazhdojmë kështu, t’i bëjmë gjërat mirë. Është e vërtetë, e pranoj, ishin disa skuadra që më donin, por gjithmonë kam menduar Milanin. Jam vërtet i lumtur: skuadra, shokët, e fejuara, fëmija që po presim.

Jam i ri dhe duhet të rritem. A jam më i mirë se të tjerët? Nuk më takon mua ta them, por Pioli më ka përmirësuar në çdo gjë, si lojtar dhe si njeri. Ditën e parë më ka thënë që të bëj atë që di. Më ndihmon shumë” – ka thënë Hernnadez. Një koment në fund edhe për fëmijën që pret: “Momenti më i bukur është kur kthehem në shtëpi dhe shoh barkun e Zoe. Shumë bukur, vërtet”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë