Një video, që po i kushton shumë shtrenjtë atij dhe klubit të tij. Kurt Zouma, mbrojtësi i Uest Hemit, tronditi Anglinë me një video, ku ai shfaqej teksa keqtrajtonte një nga dy macet e tij. Pasojat për francezin janë të menjëhershme. Adidas e ka përjashtuar direkt. Dy sponsorë kanë bërë të njëjtën gjë me Uest Hemin.
Klubi anglez, edhe pse e ndëshkoi 27-vjeçarin, e lejoi të luante të martën daj Uatfordit. Londinezët gjithashtu deklaruan se e kanë gjobitur lojtarin me shumën më të madhe të mundshme, me pagën e dy javëve prej 250.000 stërlinash, shumë që më pas ka shkuar për bamirësi, për mirëqenien e kafshëve.

RSPCA (Royal society for the prevention of cruelty to animals) ka marrë nën kujdestari dy macet e Zouma dhe ka nisur një hetim për futbollistin, i cili kërkoi ndjesë publike për veprimet e tij. Ai ka humbur tashmë sponsorizimin nga Adidas, ndërsa “Vitaly”, partner i Uest Hemit, ka ndërprerë sponsorizimin, pasi u zhgënjye nga qëndrimi i klubit pas videos.
Të njëjtën gjë ka bërë sot edhe “Experience Kissimmee”, një autoritet turistik në Florida, që i ka dhënë fund sponsorizimit për “çekiçët”.
Kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan, shprehu gjithashtu zhgënjimin për vendimin e Uest Hemit dhe trajnerit Mojes që Zouma të luante. “E di sa të rëndësishme janë 3 pikët, por duhej treguar lidership, duke e lënë lojtarin jashtë”, – tha ai për “Sky”. Trajneri i Francës, Didier Deschamps, e komentoi kështu ngjarjen: “Është e papranueshme, e rëndë, por nuk jemi një ministri publike, duhet t’i zgjedh lojtarët në bazë të kritereve të ndryshme”.
Shumë më e ashpër u tregua Brigitte Bardot: “Nuk dua që një idiot i tillë të veshë më fanellën e kombëtares franceze”. Michail Antonio, shok skuadre me Zouma, e kaloi vëmendjen në tema të tjera: “Mendoni se gjesti i tij është më keq se racizmi? Nuk e fal dhe nuk jam dakord me atë që ka bërë Zouma, por ka persona që janë ndaluar për racizëm dhe më pas kanë luajtur futboll”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




