Rend dhe Ligj

U transferua në burgun e Fierit, Saimir Tahiri karantinohet për 14 ditë

Gazeta Si - Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili një ditë më parë u transferua nga institucioni i vuajtjes së dënimit  "313" në Tiranë, drejt burgut të Fierit, do të qëndrojë për 14 ditë i karantinuar.

Ai u transferua një ditë më parë atje, por për shkak të rregullave të reja të vendosura prej pandemisë, do të duhet të kalojë dy javë i izoluar para se të çohet në qeli, si masë paraprakë për të mbrojtur të burgosurit e tjerë nga ndonjë infektim i mundshëm me Covid 19.

Rregulli i ri është që çdokush që futet në burg gjatë kësaj periudhe, duhet që të qëndrojë 10 ditë deri në 2 javë i karantinuar në një ambient të institucionit para se të kalojë në qeli.

Tahiri është në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk ka probleme me koronavirusin, por është i detyruar të qëndrojë në një dhomë pa të burgosur të tjerë për 14 ditë.

Një ditë më parë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vendosi që Tahiri ta kryejë dënimin prej 3 vjet e 4 muaj të dhënë nga Apeli i GJKKO-së në burgun e Fierit.

Kjo, për të shmangur dërgimin e tij në ambiente ku qëndrojnë individë që për shkak të detyrës që ka mbajtur Tahiri, mund të konsiderohen rrezik për të.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë