Kosova

Kurti: Në kriza energjetike nuk ka zgjidhje ideale

Gazeta Si-Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën(9 shkurt) se gjatë muajve të dimrit, Kosova ka importuar 40 për qind të energjisë elektrike.

Sipas tij, çmimet e importit kanë qenë deri në shtatë herë më të shtrenjta sesa zakonisht dhe se në “kriza energjetike, sikurse në çdo krizë tjetër, nuk ka zgjidhje ideale”.

“Në ballafaqim me kriza nuk mund të kërkohet një situatë si para saj. Duhet të synohet një mënyrë për tejkalimin sa më shpejtë prej krizës për sa më shumë prej jush”.

Kurti ka thënë se çmimet e importit të energjisë nuk pritet të ulen dhe ka bërë thirrje për përdorim racional.

Ai i ka bërë këto komente, pasi Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Kosovë ka miratuar të martën, (8 shkurt)tarifat e reja për energji elektrike.

Departamenti për Tarifa në ZRRE ka thënë se rritjen e çmimit në fatura do të vërejnë konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovat për orë brenda muajit.

Fillimisht ky institucion kishte propozuar rritje për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kilovat për orë në muaj.

Kurti ka thënë se Qeveria ka rritur shumën e subvencioneve deri në 100 milionë euro për të lehtësuar situatën.

Sipas tij, subvencionimi i plotë i importit të energjisë është i papërballueshëm për buxhetin e shtetit.

Subvencionet e Qeverisë do të shfrytëzohen për një periudhë njëvjeçare.

“Sipas të dhënave tona, bazuar në shpenzimet e vitit të kaluar, 70.4 për qind e konsumatorëve shtëpiakë, gjatë dimrit, shpenzojnë mesatarisht më pak se 800 kilovat orë në muaj”.

ZRRE ka thënë se 20 për qind e konsumatorëve e tejkalojnë konsumin prej 800 kilovat në orë gjatë muajit.

Konsumatorët e tarifës mbi 800 kilovat për orë do të kenë tarifën e lartë prej 12.5 cent për kilovat dhe 5.9 cent për tarifën e ulët.

Për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në orë në muaj, tarifa e lartë do të jetë 7 cent, ndërsa ajo e ulët,3 cent.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë