Futboll

Vlahoviç e ka ndezur Juventusin, tani nuk mjafton vetëm zona Champions

Një debutim si në ëndrra ai i Dushan Vlahoviçit, të cilit iu deshën vetëm 13 minuta për të fituar Juventusin, 307 minuta më pak se Kristiano Ronaldo. Numrin e këtij të fundit e ka marrë sulmuesi serb, që tashmë kë detyrën të sigurojë golat për kauzën bardhezi. Fillimi është i mirë, madje shumë i mirë.

Vlahoviç, bashkë me Denis Zakarian, fytyrën tjetër të re të merkatos së dimrit, firmosën suksesin në Verona dhe për herë të parë Juventusi u fut në zonën Champions, ndërkohë që shkojnë në 10 ndeshjet radhazi pa humbje: e fundit më 27 nëntor 2021 ndaj Atalantës, të cilën e ka parakaluar në klasifikim para sfidës direkt. Një ndeshje shumë e rëndësishme për të blinduar vendin e katërt (Atalanta ka një ndeshje më pak).

Vlahoviç dhe Zakaria festojne fitoren ndaj Verones. Gazeta Si, 8 shkurt 2022

Me Vlahoviç duket një Juventus tjetër. Në shpirtin e skuadrës dhe jo vetëm. Ka entuziazëm në grup dhe një marsh tjetër për disa lojtarë. Në pritje për të rigjetur golin, Alvaro Morata ishte protagonist i një ndeshjeje me shumë kilometra dhe sakrifica. Ai ka rigjetur besimin pas zërave për largim dhe punoi shumë për skuadrën, duke dhënë edhe asistin për Zakarian.

Paraqitje pozitive edhe për Paulo Dibalën, që ka kërkuar menjëherë të merret vesh me partnerin e ri të sulmit. Dhe ishte pikërisht ai që i dha topin sulmuesit serb në rastin e golit. Në mesfushë Zakaria tregoi aftësitë e lojtarit të kudondodhur, Artur rikuperoi më shumë topa se asnjëherë tjetër, ndërsa Rabiot ishte më i përfshirë në ndeshje.

Mbrojtja gjithmonë e më fortë. Nga nëntori Juventusi është skuadra që ka hequr më shumë topa goli në zonën e saj në 5 kampionatet më të fortë në Europë: 9 në 13 ndeshje. Po tani? Zona Champions është legjitime, por a mund të andërrohet diçka më shumë? “Titulli nuk është punë për ne, jemi shumë prapa,” – tha Alegri pas ndeshjes së fundit, duke shuar zjarrin e entuziazmit. Por Vlahoviç i ka dhënë një fytyrë tjetër Juventusit, gola dhe dëshirë për të shkuar më lart.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë