Gazeta Si – Autoriteti i Konkurrencës do të raportojë në Komisionin e Ekonomisë në Kuvend për rritjen e çmimit të bukës, më shumë se katër muaj pas kërkesës së bërë me shkrim nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.
Vonesa në këtë raportim është justifikuar me përmbajtjen e raportit që Konkurrenca do t’u vendoste në dispozicion deputetëve të Komisionit të Ekonomisë, duke deklaruar se e pengonte ligji për t’u vënë në dispozicion deputetëve të gjitha të dhënat për pyetjet e shqetësimet e ngritura prej tyre në tregun e miellit dhe të bukës.
“Ka një ligj që pengon Autoritetin e Konkurrencës për të dhënë informacion me palët e treta me përjashtim të gjykatave. Ligji e ndalon për shkak se brenda raportit ka elementë të sekretit tregtar. Ne na është vënë në dispozicion një përmbledhje e raportit, të procesverbalit, duke hequr elementet e sekretit tregtar dhe në dispozicion janë të gjitha materialet e kërkuara”, tha kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Eduart Shalsi.
Shalsi iu referua nenit 30 të ligjit për konkurrencën, që lidhet me sekretin profesional. Në këtë ligj, anëtarëve të Autoritetit të Konkurrencës u ndalohet dhënia e të dhënave konfidenciale edhe për institucionet, me përjashtim të gjykatave.
Por, deputetët e opozitës, Edmond Spaho dhe Bujar Leskaj thanë se raporti i dorëzuar ishte i padobishëm dhe “sekreti tregtar” ishte një justifikim i përdorur për t’iu shmangur llogaridhënies dhe transparencës.
“Nëse vendimin e arsyetuar nuk e marrim të plotë ne një seancë normale nuk mund të bëjmë. Ose do të flasim për të gjithë informacionin që ka kërkuar Braçe dhe të gjithë të tjerët, ose nuk do të flasim fare për këtë. Ose të bëjmë një përmirësim te ligji për konkurrencën dhe funksionimin e Autoritetit të Konkurrencës të bëjë një ndryshim dhe të shtojmë edhe deputetëve kur e kërkojnë”, deklaroi deputeti Bujar Leskaj.
Ndryshim të ligjit kërkoi edhe deputeti Edmond Spaho. Deputetët kanë kërkuar mes të tjerave edhe arsyetimin e plotë të vendimit të marrë nga Autoriteti i Konkurrencës në shtator të vitit të kaluar ku vendosi që të mos gjobisë kompanitë importuese të miellit.
Në atë mbledhje të Autoritetit, dy prej anëtarëve të këtij komisioni, Juliana Latifi dhe Eduard Ypi, votuan pro ndëshkimit me gjoba të këtyre ndërmarrjeve, ndërkohë që Leida Matja, Adriana Berberi si dhe Denar Biba votuan kundër gjobitjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



