Gazeta Si-Sipas vrojtimit periodik të Bankës së Shqipërisë, treguesi i besimit në ekonomi ra me 1.7 pikë përqindje gjatë muajit janar, duke ngelur megjithatë sipër mesatares afatgjatë.
Rënia e janarit erdhi pasi besimi në ekonomi ishte përmirësuar për dy muaj radhazi në fund të vitit të kaluar. Kjo rënie u përcaktua kryesisht nga tkurrja e besimit në sektorin e industrisë dhe shërbimeve dhe, në një shkallë më të vogël, nga rënia e besimit konsumator.

Ndërkohë, treguesit e besimit në sektorët e ndërtimit dhe në atë të tregtisë u përmirësuan.
Treguesi i besimit të industrisë shënoi rënie me 3.8 pikë përqindje krahasuar me muajin e kaluar, i ndikuar nga ecuria në rënie e balancës së prodhimit dhe kontratave porositëse. Megjithatë, pritjet e bizneseve për prodhimin, punësimin dhe për çmimet në të ardhmen janë në rritje.
Treguesi i besimit në shërbime shënoi rënie me 4.2 pikë përqindje në muajin janar, i ndikuar nga performanca më e dobët e komponentëve të lidhur me ecurinë e biznesit dhe me kërkesën për shërbime. Në linjë me këta tregues, bizneset vlerësojnë edhe situatën aktuale të punësimit në rënie.
Edhe treguesi i besimit konsumator shënoi rënie me 0.7 pikë përqindje në muajin janar, rënie që përkeqësoi pozicionin e tij krahasuar edhe me mesataren e vet afatgjatë. Ecuria e muajit janar pasqyroi vlerësimin më negativ të konsumatorëve lidhur me blerjet në shuma të mëdha si dhe pritjet për situatën e tyre financiare në të ardhmen. Nga ana tjetër, pritjet për situatën e përgjithshme ekonomike në vend kanë ardhur në përmirësim.
Treguesi i besimit në ndërtim iu rikthye përmirësimit në muajin janar, duke shënuar një vlerë 3.1 pikë përqindje më të lartë se sa një muaj më parë.
Treguesi i besimit në tregti u rrit me 3.4 pikë përqindje në muajin janar, i ndikuar kryesisht nga vlerësimet më të mira të bizneseve për ecurinë aktuale të biznesit të tyre. Por, nga ana tjetër, pritjet për ecurinë e biznesit në muajt e ardhshëm, për porositë dhe punësimin janë në përkeqësim në krahasim me ato të muajit të kaluar.
Megjithëse performanca e ekonomisë shqiptare u përmirësua ndjeshëm vitin e kaluar, vala e fortë inflacioniste ka nisur të ndikojë ndjeshëm pritshmëritë dhe ndjesitë e biznesit dhe konsumatorëve për të ardhmen e afërt.
Inflacioni në dhjetor arriti në 3.7%, niveli më i lartë në një dekadë, ndërsa pritet një rritje e mëtejshme e tij të paktën edhe për gjysmën e parë të këtij viti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



