Dhoma Amerikane e Tregtisë e cilëson si hap në drejtim të duhur, megjithëse ende të pamjaftueshëm dënimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Përmes një deklarate, kjo dhomë thotë se ky vendim ka ndezur sinjalin e parë se drejtësia në Shqipëria po zgjohet. Dhoma deklaron se një drejtësi e pavarur dhe profesionale do të përmirësojë klimën e biznesit.
“Pavarësisht masës së dënimit që kërkon guxim dhe “stomak të fortë” ligjor e profesional, fakti se zyrtarë apo ish-zyrtarë në nivelet më të larta të qeverisë mund të ndëshkohen po ç’rrënjos kulturën primitive, që përbën thelbin e problemeve në Shqipëri. Një fenomen i ngritur me shqetësim nga Dhoma Amerikane për padrejtësitë që prej vitesh vuajnë bizneset e ndershme në dyert e gjykatave, e që gjithashtu mban larg investitorët e huaj”, thuhet në deklaratë.
Vendimi shihet edhe si sinjal për të gjithë, jo vetëm për qytetarët dhe skeptikët.
“Ky mund të jetë një fillim i gjatë në kohë, megjithatë sado i vakët të jetë ka bërë që sot disa njerëz të ndershëm të ndihen pak më mirë, disa të heshtin dhe të presin më tej dhe disa të pandershëm por të fuqishëm të ndihen në siklet, e ndoshta dhe në panik! Por që drejtësia të nisë të gëzojë Besueshmërinë e njerëzve do duhet kohë, dhe më shumë vepra reale të tilla, që të nisë të japë efektet e saj”, vijon deklarata.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




