Tomas Strakosha prej disa ndeshjesh është titullar në formacionin e Lacios. Ai e ruajti portën të paprekur në Firence, ku Lacio fitoi 0-3, por e ardhmja e portierit të Kombëtares shqiptare duket gjithmonë e më tepër larg Italisë. Për rinovim nuk bëhet fjalë.
Dhe teksa Igli Tare po kërkon një portier tjetër për Lacion, në adresë të Strakoshës kanë ardhur oferta konkrete së fundi. Bëhet fjalë për klubin e Uatfordit në Premier Ligë, që ka një interesim serioz për portierin shqiptar, por shifrat ende nuk janë zbuluar. Nuk është hera e parë që për Strakoshën interesohen klube angleze. Më parë ka pasur zëra edhe për Liverpulin, kurse kohët e fundit emrin e tij shtypi anglez e ka lidhur edhe Leicesterin dhe Totenhemin.

Portieri 26-vjeçar ka kaluar një periudhë të vështirë këtë sezon te Lacio. Në pjesën e parë të tij humbi vendin e titullarit, por tashmë është rikthyer dhe është gati për një aventurë të re, me shumë mundësi në Premier Ligë.
Strakosha ka një përvojë të konsiderueshme dhe më parë është vënë në shënjestër edhe të ekipeve gjermane, mes tyre Bajer Liverkusen. Lacio nuk do të përfitojë financiarisht nga largimi i portierit shqiptar, pasi ai është në fund të kontratës. Do të ishte vërtet interesante ta shihnim Strakoshën në Premier Ligë, ashtu si Armando Brojën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




