Presidenti i UEFA-s, Alexander Ceferin, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Tiranë, ku takoi kryeministrin Edi Rama dhe presidentin e FSHF-së, Armand Duka. Kreu i qeverisë së futbollit europian ka pranuar se institucioni që ai drejton ka qenë i shqëtësuar pas situatës së tensionuar së krijuar së fundi mes FSHF-së dhe politikës.
Gjatë një intervistë për “Associated Press”, Ceferin ka folur me diplomaci, duke kërkuar që politika të mos ndërhyjë te futbolli, por edhe që zgjedhjet e 2 marsit për presidentin e FSHF-së të jenë transparente. Slloveni thekson gjithashtu se u beson fjalëve të Ramës për zhvillim pa probleme të finales së Ligës së Konferencës më 25 maj.
“Erdha për të vizituar FSHF-në dhe për të takuar z.Armand Duka, i cili është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Në parim UEFA nuk ndërhyn në proceset zgjedhore, por duam zgjedhje të ndershme dhe nuk duam asnjë ndërhyrje nga palë të tjera. Pata gjithashtu një takim me kryeministrin Rama. Ishim pak të shqetësuar për situatën sipas raportimeve që kemi lexuar në media.
Jam i kënaqur që ramë dakord me kryeministrin, që futbolli duhet të vendosë për futbollin. UEFA do të japë të gjithë mbështetjen e saj, do të sjellë përfaqësues këtu për të verifikuar korrektesën e zgjedhjeve dhe sigurisht të mos ketë ndërhyrje nga asnjë palë jashtë futbollit.
Kjo situatë nuk e ndihmon futbollin shqiptar, duhet të ketë qetësi dhe ne jemi gati të ndihmojmë që çdo gjë të jetë e qetë, çdo gjë duhet të jetë transparente dhe me qeverisje të mirë. Nuk dua të hyj në deklaratat e askujt. Ishim të shqetësuar për finalen e UECL. Fola me presidentin e FSHF-së dhe me kryeministrin, me të cilin ramë dakord se nuk do të ketë ndërhyrje politike në zgjedhje. Nëse UEFA nuk ndërhyn, askush tjetër nuk duhet të ndërhyjë në këtë proces. Kam shumë besim në fjalët e kryeministrit se zhvillimi i finales së Conference League këtu është i sigurt”, – tha mes të tjerash Ceferin.
Me nota pozitive e ka komentuar takimin me presidentin e UEFA-s, Ceferin, edhe kryeministri Edi Rama. Ai ka bërë një postim në Tuiter, ku shkruan se nuk mund të shkonte më mirë ky takim për finalen e Ligës së Konferencës dhe zgjedhjet transparente në FSHF.
Takimi sot me Presidentin e UEFA-s s'mund të ishte dot më i mirë për qëllimin e përbashkët tê zhvillimit në Tiranë të finales së parë europiane në histori, si dhe të realizimit të një procesi të besueshëm për të gjitha palët e përfshira në zgjedhjet e reja të #FSHF⚽️ #FairPlay
— Edi Rama (@ediramaal) February 3, 2022
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




