Ekonomi

Sejko: Inflacioni do të jetë mbi 3% këtë vit, pritet rritje e ekonomisë në tremujorin e katërt

Gazeta Si – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko tha sot(2 shkurt) se inflacioni në vend shënoi një rritje të shpejtë në tremujorin e katërt duke arritur në nivelin 3.7 % në muajin dhjetor 2021.

Në një deklaratë për mediat bëri me dije se inflacioni do të jetë mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë për shkak të goditjes nga tregjet ndërkombëtare.

Ai tha se inflacioni do të jetë mbi 3% këtë vit, teksa theksoi se synimi i Bankës së Shqipërisë që inflacioni të arrijë 3% do shtyhet për vitin 2023.

“Inflacioni gjendet në çmimet e gjithë artikujve të shportës së konsumit. Përshpjetimi i tij u diktua nga rritja e ushqimeve të përpunuara dhe çmimeve të naftës. Inflacioni pritet të kthehet në objektiv në mënyrë të qendrueshme gjatë 2023 në pasqyrim të balancimit të kërkesës e ofertës e rritjes së punësimit e pagave në linjë me produktivitetin”, tha Sejko.

Sipas Guvernatorit të BSH-së, “rritja e fortë e çmimeve të ushqimeve, lëndëve energjitike, kostove të transportit ka pasur ndikim të konsiderueshëm të inflacionit në tre mujorin e katërt.

Sipas INSTAT, ekonomia shqiptare u rrit me 10.4% gjatë 3 tre mujorëve të parë të vitit. Informacionet sinjalizojnë zgjerim të mëtejshëm të saj në tremujorin e katërt.

Analizat tona tregojnë se aktiviteti ekonomik në vend ka kaluar nivelin e tij të para tërmetit dhe para pandemisë, duke ilustruar rimëkëmbejn e shpejtë të kërkesës”, bëri me dije Sejko.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi që norma bazë e interesit të mbetet e pandryshuar në nivelin 0.5%, dhe normat e interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, të mbeten përkatësisht në nivelet 0.1% dhe 0.9%.

“Në këtë kontekst, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm. Në gjykimin e Këshillit, niveli aktual i stimulit monetar i shërben respektimit të objektivit tonë të inflacionit, ndihmon rimëkëmbjen e mëtejshme të ekonomisë shqiptare, si dhe ruan një balancë të drejtë midis rreziqeve që çmimet e larta në tregjet ndërkombëtare mund të kenë mbi nivelin e çmimeve dhe aktivitetit ekonomik në vend”, deklaroi Sejko.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë