Futboll

Barcelona merr Aubamejang para rënies së gongut, Ksavi forcon sulmin

Në sekondat e fundit të merkatos, para se të binte gongu, Barcelona arriti të mbyllë afrimin e Pierr-Emerik Aubamejang, pas një dite shumë të ngjeshur. Katalanasit duhet të sistemonin Dembelenë për të blerë sulmuesin e Arsenalit, por edhe pse lëvizja e francezit nuk u konkretizua, Ksavi do të ketë nën urdhrat e tij sulmuesin nga Gaboni.

Aubamejang kishte shkuar në Katalonjë për të bërë vizitat mjekësore, që në një moment u ndalën, duke qenë se situata e Dembelesë nuk po zhbllokohej. Por në momentet e fundit blerja e sulmuesit u krye dhe detajet nuk janë bërë ende të ditura.

Pierr Emerik Aubamejang. Gazeta Si, 1 shkurt 2022

Sipas “Sport”, sulmuesi 32-vjeçar po zgjidh kontratën me Arsenalin, e vlefshëm deri në vitin 2023, kështu që kalon te Barcelona si lojtar i lirë, kurse “Mundo Deportivo” shkruan se Aubamejang do të kalojë te katalanasit në formë huazimi deri në qershor, me të drejtën e rinovimit të huazimit edhe për 12 muaj.

Për Dembelenë ka rënë poshtë hipoteza e një shkëmbimi të mundshëm të tij me Mauro Ikardin e PSG-së. Po ashtu, janë sfumuar edhe mundësitë e kalimit të Dembelesë te Çelsi apo Totenhemi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë