Drejtësia

Pas vizitës së Kim, Gjykata e Lartë rihap garën për zëvendësimin e Vitore Tushës në Kushtetuese

Gjykata e Lartë po has në vështirësi në gjetjen e kandidaturave që plotësojnë kriteret ligjore për plotësimin e tre vakancave që i takojnë për të emëruar në Gjykatën Kushtetuese dhe këtë të hënë me urdhër të kryetarit të saj ka rihapur garën.

Thirrja për kandidatët është hapur këtë herë për mandatin e Vitore Tushës, aktualisht kryetare e Gjykatës Kushtetuese, por me mandat të skaduar.

Në kushte të tilla, kryetari i Gjykatës së Lartë rishpalli thirrjen për plotësimin e vendit vakant të krijuar nga mbarimi i mandatit të Tushës për pjesën e mbetur të mandatit 9-vjeçar të saj, që përfundon në muajin mars 2025.

Afati i pranimit të kërkesave të kandidatëve është 30 ditë nga data e publikimit të njoftimit. Pas përfundimit të këtij afati, Gjykata e Lartë i përcjell Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dokumentacionin e paraqitur nga kandidatët për vlerësimin e kushteve dhe kritereve të emërimit të tyre në Gjykatën Kushtetuese.

Më pas, KED pasi verifikon kandidaturat dhe kualifikimet përkatëse të tyre i përcjell Gjykatës së Lartë emrat e kualifikuar për këtë pozicion sipas një renditjeje nga kandidati më i vlerësuar, te më pak i vlerësuari.

Në këtë listë, Gjykata e Lartë duhet të votojë për një emër, por kuorumi i nevojshëm për të mbajtur këtë votim është 14 anëtarë, ndërkohë që kjo gjykatë aktualisht ka 9 anëtarë. Thirrja e radhës për aplikime nga Gjykata e Lartë mbërrin pas takimit të fundjavës së kaluar mes kreut të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi dhe Ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë