Futboll

Video/ Katër shuplaka Kukësit, Tirana nis arratinë drejt titullit kampion

Tirana kishte sot shansin e artë të shkëputjes në ndeshjen me rivalin direkt dhe nuk e ka humbur atë. Katër gola shënuan të besuarit e Orges Shehit ndaj Kukësit të Longos, që tashmë mbetet 9 pikë prapa. Kryeqytetasit, edhe pse jemi ende në gjysmën e kampionatit, kanë nisur arratinë drejt titullit kampion.

Taulant Seferi dhe Redon Xhixha janë ekzekutuesit e Kukësit në “Air Albania”. Dy sulmuesit e Tiranës realizuan nga një dygolësh në këtë ndeshje. Seferi zhbllokoi shifrat me kokë, më pas Xhixha dyfishoi pas një kundërsulmi me një diagolane të saktë.

Në pjesën e dytë Xhixha shfrytëzoi sërish një kundërsulm të shpejtë të Tiranës, të finalizuar në mënyrë spektakolare. Në fund Seferi kompletoi “pokerin” bardheblu, duke i dhënë një goditje të fortë Kukësit, që në 3 ndeshjet e këtij viti ka 1 fitore dhe 2 humbje.

Në ndeshjen tjetër të zhvilluar sot, Vllaznia mundi 0-1 Kastriotin në stadiumin e Kamzës, falë një goli të shënuar me penallti nga Liridon Latifi. Shkodranët gjejnë fitoren e munguar preej disa javësh. Tirana vazhdon të kryesojë me 40 pikë, e ndjekur nga Laçi, që të hënën pret Partizanin, me 31 pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë