Po afron fundi i merkatos dimërore dhe klubet e mëdha janë duke finalizuar objektivat e tyre. Zhvillime interesante në Itali, ku Juventusi, pasi ka zyrtarizuar sulmuesin Dushan Vlahoviç, po përpiqet të marrë edhe mesfushorin zviceran Zakaria, një objektiv i Romës prej kohësh.
Zhoze Mourinjo ndërkohë po këmbëngul për Granit Xhakën. Duket se të gjitha rrugët e çojnë trajnerin portugez te mesfushori shqiptar i Arsenalit. Ai vazhdon të besojë se drejtuesit e Romës do ta bëjnë edhe këtë goditje për të forcuar organikën e skuadrës në vazhdim.

Interi ka sistemuar Sensin te Sampdoria dhe pas gjermanit Gosens, ka marrë edhe sulmuesin Kaisedo, së fundi te Xhenoa. Ishte një dëshirë e trajnerit Inzagi për ta marrë këtë futbollist, pasi e njeh mirë që nga koha kur drejtonte Lacion. Milani është në kërkim të një mbrojtësi qendre, ndërkohë që ka rinovuar me francezin Teo Hernandez deri në 2026-ën.

Barcelona ka bërë një tjetër goditje, duke marrë sulmuesin Adama Traore nga Volverhemptoni. Totenhemi po bën “pazar” në Itali, ku kërkon të blejë nga Juventusi mesfushorin Bentankur dhe sulmuesin Kulusevski. Për këtë të fundit ka një sinjal edhe nga Milani, që ka afruar në ekip edhe të riun serb Lazetiç.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




