Ka ndodhur

Protesta për banesat bashkon banorët e Laprakës dhe ‘5 Majit’, përplasen me policinë në rrugë

Gazeta Si - Banorët e zonës së Laprakës në Tiranë, banesat e të cilëve preken nga projekti i "Unazës së Madhe" kanë dalë në protestë mbrëmjen e të shtunës në rrethrrotullimin e ish-sheshit “Shqiponja”.

Atyre i janë bashkuar dhe banorët e "5 Majit", të cilët mbetën të pastrehë nga një tjetër projekt rindërtimi, të cilëve iu shembën banesat një javë më parë.

Protesta u shoqërua edhe me përplasje mes forcave të policisë dhe protestuesve, të cilët nuk pranonin të hapnin rrugën dhe të lejonin makinat të kalonin.

Protestuesit janë konfliktuar edhe  me shoferët e makinave që tentonin të kalonin në rrugë, por ishin të bllokuar. Pasi bllokuan trafikun për disa minuta te ish-sheshi-“Shqiponja”, ata u shpërndanë me ndërhyrjen e policisë.

E pranishme në protestë ishte edhe nënë Liza, që u shndërrua simbol i protestës së '5 Majit'. "Kauzat tona janë të drejta, nga sot ne i jemi bashkuar protestës së banorëve të Laprakës dhe protestat tona do të vazhdojnë të përbashkëta deri në zgjidhjen e kërkesave tona", u shpreh një nga banorët e "5 Majit”.

Banorët i kanë bërë thirrje kryeministrit Rama, që të mbajë premtimin që u bëri atyre në vitin 2013 për legalizimin e banesave.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë