Kryetari i PSD-së, parti kjo që organizoi protestën kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, Dardan Molliqaj e ka quajtur policinë e Kosovës të dirigjuar politikisht.
Molliqaj ka thënë se Qeveria e Kosovës po fshihet pas policisë për t’i penguar.
“Kjo polici është e dirigjuar politikisht, para tri ditë këtu është mbajt protestë me të njëjtën kauzë dhe këtu nuk ka pasur policë. I kërkova mirëkuptim, filluan të më arrestojnë. Policë të pasjellshëm e të dirigjuar politikisht, nuk hyjmë në objekt se s’jam budall me hi në objekt. I njëjti komandant para tri dite nuk i ka qit policinë këtu, policia është këtu për të na penguar ne, sepse e kanë rrit çmimin e energjisë elektrike, e tash ju vjen marre”, ka thënë Molliqaj, teksa protestuesit shtyheshin me policinë.
Molliqaj ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka folur për shumë vjet për privatizimin, por tani nuk po bën asgjë për kompanitë e tilla.
“Kryeministri ka 10 vjet që ka fol për dëmet e privatizimit të distribucionit, askush më shumë se ai nuk i ka bë favor kësaj kompanie, KESCO. Për 2 muaj i ka nda nga taksat tona, nga buxheti 120 milionë euro. Por, s’ngihen kurrë. Kjo kompani përveç tyre ka qëllim ta bankrotojë KEK-un. Ia ka mbi 50 milionë euro borxh, rrymë që na u ka shitë ne. Kurrë mundësi më të mirë s’ka pasë qeveria se ta kthejë tash distribucionin në shërbim të qytetarëve. Problemi është se brenda kësaj ndërtese është një frikacak, tuc, që veten e sheh si supermen. Bash që është tuc, është shumë i rrezikshëm. Ky njeri nuk ka as shok as shoqe që të bashkëpunojë. Trimat kanë shok dhe shoqe, tucat kanë instrumente e masha për ta ruajtur veten”.
Aktivistët e PSD-së kanë hedhur qirinj dhe poça elektrike në drejtim të Qeverisë, si shenjë revolte.

Me mbishkrimet, ”Ju e rrisni çmimin, ne rezistencën”, “Krejt rrogat në rrymë”, “Krejt dhe shtrenjtë”, “Lypëm dritë, gjetëm terr” dhe thirrjet “Populli i bashkuar ka për të fituar”, qytetarët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj propozimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për tarifat e reja të energjisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




