Gazeta Si – Sot ne ora 14:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë do të protestohet kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike dhe do të kërkohet që të hedhet poshtë propozimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Protesta e sotme është organizuar nga Partia Socialdemokrate.
Partitë opozitare brenda parlamentit, PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja nuk do të marrin pjesë në protestë por kanë deklaruar se e mbështesin atë.
Në një konferencë për media të premten(28 janar), kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj tha se protesta e të shtunës do të jetë paqësore dhe se do të ketë aksione simbolike para objektit të qeverisë.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) të cilët deklaruan se nuk do të jenë pjesë e organizmit të protestës së të shtunës, kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.
“Ne kuptojmë shqetësimin e secilit për këtë çështje, njëherësh prapë i bëjmë thirrje Qeverisë që të tërhiqet nga shtrenjtimi i rrymës. Gjithashtu, ne respektojmë vullnetin e secilit për pjesëmarrje në këtë protestë dhe apelojmë që të respektohen masat anticovid”, u tha në komunikatën e AAK-së.
Për të kundërshtuar shtrenjtimin e energjisë elektrike u protestua edhe të mërkurën e 26 janarit.
“Ngrohja nuk është komoditet”, “Asnjë cent më shumë”, “Lësho rrymën, lësho rrjetin, largoje KEDS-in”, janë shkrimet në pankarta me të cilat para objektit të Qeverisë protestuan rreth dyqind protestues.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




