Arbitri kolumbian Vilmar Roldan ishte protagonist absolut në barazimin 1-1 të Brazilit ndaj Ekuadorit, në një ndeshje të luajtur në 2.850 metra lartësi, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit të Katarit. Dy kartonë të kuq të nxjerrë ndaj portierit Alison e më pas të anuluar, 2 penallti të dhëna dhe pastaj të hequra për të zotët e shtëpisë, si dhe shumë konsulta me VAR-in.
Seleçao e ka arritur tashmë kualifikimin për në Katar, pasi komandon grupin me 36 pikë në 14 ndeshje. Ekuadori mban vendin e tretë, me 24 pikë në 15 ndeshje, në zonën e kualifikimit për në Katar.
Brazili kaloi në epërsi me Kasemiron që në fillim, më pas nisi spektakli i arbitrit. Portieri ekuadorian Dominguez u ndëshkua me të kuq pasi ndërhyri shumë ashpër ndaj Kunjës jashtë zonës. Pak minuta më pas ishte radha e Emerson Rojal, mbrojtësit të djathtë Brazilian që la fushën pas dy të verdhësh.
Brazili rrezikoi të mbetej pa portier, sepse Alison goditi Valencian jashtë zonës. Arbitri dha fillimisht karton të kuq, por e anuloi pasi pa pamjet, duke e konsideruar faull të pavullnetshëm. Pjesa e parë përfundoi pas 54 minutash.
Pastaj përplasja mes Rafinjës dhe Estupinjan, që arbitri Roldan e konsideroi penallti për Ekuadorin, por VAR-i ia ndryshoi mendjen sërish. Ekuadori barazoi me Torres, ndërsa në fund arbitri dha penallti pas ndërhyrjes së Alison ndaj Preciado dhe ndëshkoi me të kuq portierin. Alison preku më parë topin dhe sërish penalltia dhe kartoni i kuq u anuluan në minutën e 56-të të pjesës së dytë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




