Partia Demokratike ka kallëzuar këtë të enjte në SPAK, kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erjon Veliaj dhe zyrtarë të tjerë të Bashkisë Tiranë për shpërdorim detyre dhe shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë.
Në kallëzim, PD akuzon se Bashkia Tiranë, si autoritet kontraktor ka kualifikuar dhe shpallur fitues në tenderët e rindërtimit në lagjen “5 Maji” në Tiranë, me vlerë më shumë se 10 milionë euro, kompaninë në pronësi të shtetasit Anton Gjinaj alias Pashk Rapi, person me rekorde të rënda kriminale.
Sipas Partisë Demokratike, pronari i kompanisë, është një person i dënuar për trafik droge në Itali dhe Spanjë, zotërues i shoqërisë Alesio 2014 sh.p.k. Sipas Ministrisë së Brendshme të Malit të Zi, Anton Gjini është anëtar i një organizate kriminale, e cila në vitin 2006 organizoi dhe koordinoi importimin, magazinimin dhe shitjen e mëtejshme të 50 kilogramëve heroinë në territorin e Spanjës dhe për këtë rezulton të jetë i dënuar me 8 vite e 9 muaj burg.
“Sipas ligjit për prokurimet publike autoriteti kontraktor ka detyrimin për të skualifikuar një operator ekonomik, kur anëtari i një organi administrativ, drejtues ose mbikëqyrës i atij, aksionar ose ortak i kompanisë është i dënuar për organizim, drejtim ose financim i veprimtarisë së prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, si dhe i veprimtarisë së trafikimit të narkotikëve. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, në cilësinë e tij si titullar i autoritetit kontraktor, duke shpërdoruar detyrën dhe duke shkelur ligjin e prokurimeve publike, ka injoruar këtë detyrim, duke konsumuar veprat penale të sipërcituara”, - thuhet në kallëzimin e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi.
Gjithashtu, në kallëzim kërkohet nga SPAK që të kryhet një hetim i plotë dhe i gjithëanshëm për aferën e projektit zhvillimor në njësitë administrative 4 dhe 8, zona “5 Maji”, dhe paraqitjen e kërkesës në gjykatë për vendosjen e sekuestros preventive ndaj projektit, sipas nenit 274 e vijues të Kodit të Procedurës Penale, për të pezulluar këtë projekt deri në përfundim të hetimeve.
Një ditë më parë, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi akuzoi Sali Berishën se po shpif ndaj demokratëve për të mbuluar skandalin e ndërtimit në lagjen 5 maji nga një trafikant droge i lidhur me familjarë të tij dhe me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.