Gazeta Si – Kryeministri Albin Kurti, në seancën e kësaj të enjteje të Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet për gjendjen me pandeminë, tha se masat e marra ndaj atyre që hyjnë në Kosovë nuk janë diskriminuese ndaj askujt.
Kurti ka thënë se në shtetet tjera ky vendim mund të konsiderohej si diskriminues, pasi ato vizitohen edhe nga qytetarë të Azisë e Afrikës, të cilët nuk kanë mjaftueshëm vaksina, por, siç thotë ai, thuajse të gjithë ata që hyjnë në Kosovë janë nga Europa e Amerika, të cilat kanë mjaftueshëm furnizim me vaksina.
“Kjo logjikë nuk vlen për neve se gati të gjithë udhëtarët që vinë në Kosovë janë nga Europa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe atje siç e dimë nuk ka mungesë të vaksinave. Edhe tek ne nuk ka mungesë të vaksinave. Në stoqet tona janë gjysmë milioni vaksina. Pra nuk po diskriminohet askush me këtë në vendin tonë”, ka deklaruar ai.
Kurti ka thënë se hospitalizimit dhe vdekjet në Kosovë janë nën kontroll dhe se ata po përpiqen që të zvogëlojnë shkallën e infektimeve me virus.
“Në kohën kur e gjthë bota por edhe rajoni po përballeshin me shifra alarmante të të infektuarve, ishte vetëm çështje kohe kur ky variant i virusit do të përhapej edhe në vendin tonë. Numri i hospitalizimeve dhe humbjeve të jetës në këtë fazë mund të duket relativisht i ulët kjo natyrisht për shkak se një numër i madh i qytetarëve janë vaksinuar me dy doza dhe po vazhdon mirë edhe vaksinimi me dozën e tretë përforcuese”, ka shtuar Kurti.
Ai bëri thirrje edhe nga foltorja e Kuvendit ku po diskutohet për pandeminë, që qytetarët të vaksinohen.
“Për shkak të natyrës ngjitëse të Omicron pritet që numri të rritet edhe në vazhdim. Pra është si qëllim kryesor i masave të miratuara ta ngadalësojmë rritjen enorme të rasteve se nuk e ndalim dot. Ngadalësimi do bëjë që sistemi shëndetësor të mos mbingarkohet menjëherë”.
Ai shtoi se mbi 80% e rasteve të vdekjeve kanë qenë te pavaksinur, dhe me variantin Omicron kanë qenë grupmosha 10-19 në javën e fundit.
“Përkundër numrit të madh të të vaksinuarve, nuk na ofrojnë siguri për ditët dhe muajt në vijim. Rritja eksponenciale e rasteve të paktën për një kohë do të jetë e pashmangshme çfarëdo kufizimesh që vendosim”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




