Drejtësia

Ryshfet për tjetërsim pronash, mes të akuzuarve nga SPAK edhe 5 punonjës të Kadastrës në Tiranë

Gazeta Si – SPAK ka dërguar 17 persona për gjykim në GJKKO, 5 prej të cilëve janë zyrtarë të Kadastrës së Tiranës, të cilët akuzohen se merrnin deri në 2 milionë lekë për të nxjerrë hipotekën e tokës.

Dosja hetimore, përmban përgjime të shumta ambientale mes të pandehurve, të cilët akuzohen për veprën penale: “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

Procedimi penal i nisur që më 20 prill 2021 dhe mbyllur me operacionin e arrestimit të disa personave më 26 korrik, ka arritur në përfundimin se shtetasit, Besnik Hyka, Ilir Ahmetaj, Gëzim Bazha, Gazmend Canaj, Admir Burri, Neritan Bablusha, Panol At Nikolla, Ivi Cico, Fjoralb Demiraj, Shpëtim Bakia, Bedri Halili, etj. janë përfshirë në veprime të kundërligjshme që konsistojnë kryesisht: në premtimin ose dhënien e përftimeve materiale të parregullta për kryerjen e veprimeve që lidhen me detyrën e nëpunësve publikë; në kërkimin/pranimin e përftimeve materiale që lidhen me kryerjen ose moskryerjen e veprimeve që lidhen me detyrën e tyre; në ushtrimin e ndikimit të paligjshëm tek persona që ushtrojnë funksione publike, me qëllim kryerjen e veprimeve në mospërmbushje të rregullt të detyrës.

SPAK njofton se ka administruar shumë prova gjatë hetimit, si përgjimet telefonike, të dhënat e nxjerra nga ekzaminimi i aparateve celularë të të pandehurve, praktikat e administruara në ASHK dhe akteve të tjera shkresore.

Nga këto provohet se i pandehuri Admir Burri, në bashkëpunim me të pandehurit Gazmend Canaj dhe Neritan Bablusha, në disa raste kanë ushtruar ndikim të paligjshëm tek punonjësit shtetërorë dhe në disa raste kanë ofruar përfitim monetar për të kryer ose mos kryer veprime në lidhje me aplikime/kërkesa të bëra nga shtetas të ndryshëm, për marrjen e shërbimeve të ndryshme kadastrale.

Veprimtaria e kundërligjshme e të pandehurve Gazmend Canaj, Admir Burri, Neritan Bablusha, Ivi Cico, Fjoralb Demiraj, është e shtrirë në kohë dhe ka vijuar në mënyrë të pa ndërprerë, duke u përfshirë në disa episode të kundërligjshme që lidhen kryesisht me ndërmjetësimin e tyre me qytetarë të ndryshëm dhe punonjës të ASHK-së, sikurse është i pandehuri Panol At Nikolla, me detyrë Zëvendës/drejtor i Drejtorisë Vendore të ASHK-së Tirana Rurale 2, për përshpejtimin e procedurave të marrjes së shërbimeve kadastrale dhe pajisjes së tyre me dokumentepronësie, kundrejt ndërveprimit korruptiv.

Të 17 personat që çohen për gjykim

1. Panol At-Nikolla, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve publikë” (gjashtë herë)

2.Sazan Gorishova, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre” kryer në bashkëpunim

3. Eni Sejdinaj, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre” kryer në bashkëpunim

4. Klevis Kotorri, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre” kryer në bashkëpunim

5.Elton Gavoçi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre” kryer në bashkëpunim

6.Admir Burri, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Ushtrimi i ndikimit te paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, (dy herë), kryer në bashkëpunim dhe “Korrupsion aktiv i funksionarëve publikë”kryer në bashkëpunim (gjashtë herë)

7.Gazmend Canaj, i akuzuar për kryerjen e veprave penale“Ushtrimi i ndikimit te paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” (dy herë), kryer në bashkëpunim dhe “Korrupsion aktiv i funksionarëve publikë”kryer në bashkëpunim (dy herë)

8.Gëzim Bazha, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit te paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim dhe “Korrupsion aktiv i funksionarëve që ushtrojnë funksione publike” kryer në bashkëpunim

9.Neritan Bablusha, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit te paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” (dy herë), kryer në bashkëpunim

10.Shpëtim Bakia, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit te paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”

11.Besnik Hyka,i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”,kryer në bashkëpunim dhe “Falsifikimi i dokumenteve”

12.Ilir Ahmetaj,i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”

13.Ivi Çiço, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion aktiv i funksionarëve publikë” (dy herë) kryer në bashkëpunim, parashikuar nga 244 e 25 Kodit Penal.

14.Fjoralb Demiraj,i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion aktiv i funksionarëve publikë” (dy here) kryer në bashkëpunim

15. Bedri Halili, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion aktiv i funksionarëve publikë” kryer në bashkëpunim

16.Miguel Caka, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Organizim i lotarive te palejuara”

17.Ergus Struga, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Organizim i lotarive te palejuara”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë