Gazeta Si - Pak ditë pas shembjes së banesave në zonën e “5 Majit”, banorët dhe familjet e prekura kanë protestuar mëngjesin e të enjtes para Parlamentit, ku është parashikuar të mbahet seancë e zakonshme plenare.
Me pankarta në duar dhe me nënë Lizën në krye, e cila u shndërrua simbol të protestës së '5 Majit', ata kanë kërkuar një takim me deputetët, duke theksuar se nuk do të firmosin asnjë marrëveshje pa pasur një dëgjesë publike që t'u tregojë me saktësi se kur do t'i jepen në dorë çelësat e shtëpisë së re.
Sipas tyre, në dokumentin që u është dhënë nga zyrtarë të Bashkisë nuk ka asnjë datë se kur do u jepet shtëpia e re dhe sot kanë kërkuar takim me deputetet. Atyre u janë bashkuar edhe banorët e Laprakës, që preken nga projekti i Unazës së Re. Në një moment ato kanë pasur edhe tensione me policinë pasi këto të fundit, u kërkonin që të lironin rrugën.
Ata i kërkojnë SPAK të nisë hetimet pse u devijua projekti që sjell dhe prishjen e banesave të tyre. Protestuesit mbanin në dorë pankartat, ku ndër të tjera shkruhet: "Kryeministër ku je? Bëj transparencë të projektit".
Banorët janë mbështetur gjatë protestës nga deputetët e Grupit të Rithemelimit të PD, që i kanë dalë në krah ish-kryeministrit Sali Berisha. Ndërsa deputetët demokratë që mbështesin kryetarin Lulzim Basha, nuk janë parë në krah të banorëve.
Flamur Noka, u shpreh se në projektin e “5 Majit”, por edhe në Laprakë, ka një bashkëpunim mes Edi Ramës, Erion Veliajt dhe Lulzim Bashës.
Ndër të tjera, Noka tha se qytetarët që protestojnë kërkojnë vetëm që të trajtohen denjësisht. “Të paktën gjysmën e trajtimit që Rama iu bëri afganëve të Soros”, - deklaroi deputeti i demokrat. Noka shtoi e banorët janë nxjerrë dhunshëm nga shtëpitë, duke u lënë në mëshirë të fatit.
“Duan të mos nëpërkëmbën, duan të mos hidhen në rrugë dhe të trajtohen si qen, por të trajtohen si qenie njerëzore të denja të këtij vendi. Ajo që është më e rëndë në këtë panoramë dhe që vetë banorët e rrugës “5 Maj” dhe Laprakës, po ju bëj me dije ju është fakti, se në të gjitha këto projekte, tashmë po del hapur në dritën e diellit se ka një bashkërendim dhe bashkëpunim mes Edi Ramës, Erion Veliajt dhe Lulzim ‘Bravës’”.
Sipas Nokës, “me masakrën që po bëhet në 5 Maj dhe në Laprakë është çdo gjë evidente. Rama dhe Veliaj, prishin dhe shkatërrojnë sepse pazari është që pas kësaj historie është Lul Brava me Kapllanat apo Alibeajt e tij të cilët përfitojnë nga këto projekte”, - u shpreh ai.
Ata kërkojnë transparencë për procesin e shembjes së shtëpive të tyre dhe deklarojnë se nuk kanë asnjë informacion apo marrëveshje se ku do të jetojnë, por vetëm u është premtuar se do të marrin një shtëpi të re. Për këtë arsye ata kërkojnë kontratë.
Në protestë janë bashkuar dhe banorët e e një lagjeje në Laprakë, të cilët janë të frikësuar se mund të kenë të njëjtin fat, për shkak të një projekti rindërtimi, për të cilin ata nuk janë dakord.
Ndërsa javën e kaluar, disa qindra forca policore mësynë në zonë duke i nxjerrë dhunshëm familjet nga banesat, të cilat më pas u rrafshuan nga fadromat e Bashkisë së Tiranës.
Nuk dihet nëse kryeministri Edi Rama do të tentojë të negociojë me banorët e “5 Majit”, ashtu sikundër ka bërë më parë me përfaqësues në protestat e mëparshme, apo ndaj banorëve të zonës periferike të Tiranës, do të përdoret dhuna dhe forca.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.