Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, është në qendër të vëmendjes pas ngjarjeve të ditëve të fundit, ku pati edhe një shpërthim tritoli afër shtëpisë së tij në Durrës. Kreu i futbollit shqiptar ka marrë mesazhe mbështetjeje nga institucionet ndërkombëtare të futbollit dhe nga shumë kolegë të federatave të tjera europiane.

Sipas një njoftimi të FSHF-së, mesazhe solidarzimi Duka ka marrë nga Infantino dhe Ceferin, presidentët e FIFA-s dhe UEFA-s, por edhe nga drejtues federatash, si italiani Gabriele Gravina, turku Nihat Ozdemir, spanjolli Luis Rubiales, francezi Noel Le Graet, greku Panagiotis Dimitriu e të tjerë. Sigurisht, nuk kanë munguar mesazhet e presidentëve të federatave të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, Agim Ademi dhe Muamed Sejdini.
Ende nuk ka një njoftim zyrtar, por pritet që ditën e hënë të vijë në Tiranë presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferin, i cili do të ketë një takim me kryeministrin Edi Rama në lidhje me klimën e krijuar para zgjedhjeve të presidentit të FSHF-së, që zhvillohen më 2 mars.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




