Armando Broja, me golat dhe paraqitjet e bëra me fanellën e Southemptonit, ka bërë për vete shumë klube të Premier Ligës, të cilët kanë nisur intresimin konkret për sulmuesin e Kombëtares shqiptare. Broja ka marrë edhe vëmendjen e “BBC”-së, që i ka kushtuar së fundi një artikull futbollistit 20-vjeçar.
Lajmi i orëve të fundit është se sulmuesi kuqezi ka përfunduar në radarët e Arsenalit, ndërsa Uest Hemi, një tjetër ekip londinez, është futur më parë në garë për të pasur shërbimet e tij. Janë këta dy klubet që kërkojnë Brojën, përveç Southemptonit, ku ai është i huazuar aktualisht.

Gjithçka e ka në dorë Çelsi, klubi që disponon kartonin e Brojës dhe nuk do të ishte çudi që sezonin e ardhshëm sulmuesi të luante për këtë skuadër. Për momentin gjithçka është e hapur, si qëndrimi te Çelsi, huazimi edhe për një tjetër sezon në Premier Ligë, apo edhe shitja përfundimtare e kartonit të lojtarit shqiptar.
Arsenali, që në të kaluarën ka marrë lojtarë nga Çelsi, është një nga klubet që investojnë më shumë te të rinjtë dhe rasti i Brojës është ideal për të. Edhe Uest Hemi, që po interesohet seriozisht për sulmuesin, është një ekip më i mirë se Southemptoni, kështu që logjikisht e ardhmja e Brojës duket e destinuar të vazhdojë në Londër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




