Gazeta Si -Ministria e Drejtësisë thotë se i ka propozuar drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame shkrirjen e të gjithë zyrës rajonale të ASHK-së në Durrës.
“Kemi kërkuar shkarkimin e të gjithë Kadastrës së Durrësit. Shkrirjen e kësaj drejtorie, që nga drejtori i ASHK-së së Durrësit, te përgjegjësi i sektorit të legalizimeve, hartografisë dhe regjistrimit, kalimit të pronësisë dhe deri të 10 specialistët”, deklaroi këtë të martë ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.
Manja tha se në këtë përfundim është arritur pas marrjes në verifikim të mbi 200 dosjeve të shqyrtuara nga kjo drejtori e ASHK-së në periudhën nga gushti deri në tetor të vitit të kaluar.
“Ka rezulttuar se mungonin totalisht dokumentacionet më të rëndësishme që kërkon ligji, praktikë pune abuzive dhe fiktive, pa vetëdeklarim për legalizim, pa akte verifikimi në terren, pa ortofoto dhe një sërë shkeljesh të tjera”, tha ai.
Shkeljet, sipas njësisë antikorrupsion të ngritur në Ministrinë e Drejtësisë u thelluan nga ana e kësaj drejtorie kur u përpoq që të ndryshojë të dhënat në dosjet që ka marrë për të inspektuar kjo ministri.
“Ne kemi bërë kallëzimet penale përkatëse dhe po çojmë shtesa kallëzimesh për këto çështje në prokurorinë e Durrësit. Janë 386 faqe raport hetimor për legalizimet në Durrës, vetëm nga gusht-tetor 2021”, u shpreh Manja.
Ministri i Drejtësisë solli edhe një rast nga ASHK-ja e Sarandës, ku tha se punonjës dhe ish-punonjës të saj kanë dalë mbi vendimet e gjykatave dhe kanë vazhduar me procedurat e legalizimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.