Kryeministri Albin Kurti në seancën e jashtëzakonshme lidhur me paralajmërimet për shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike, ka deklaruar se në një situatë të tillë energjetike nuk ka zgjidhje të lehtë.
Ai tha se duhet zgjedhur mes reduktimeve, subvencionimit të energjisë nga shteti dhe shtrenjtimit të faturës së konsumatorëve. Sipas tij, zgjidhja duhet gjetur në mes të këtyre dy të fundit.
“Nga dita e djeshme nga ajo që mund të shohim është që piku nuk po bie. Ka qenë 1380 kw/h, por edhe konsumimi është shumë i lartë. Edhe ngarkesa bazë është rritur, para një jave ka qenë 700kw/h, mbrëmë ka qenë 908kw/h. Piku s’po bie, lajm i mirë është rikthimi i bllokut B2. Importi ka rënë përgjysmë. Nuk ka zgjidhje të lehtë, s’ka as zgjidhje optimale sepse kriza është e rëndë”, deklaroi ai.
“Qytetarët kanë fantazi, mund të fantazojmë edhe unë edhe ju por s’është e mundshme as subvencionimi, as shtrenjtimi i faturës e as reduktimet. Është e domosdoshme të kuptohet se s’ka zgjidhje ideale”, shtoi ai.
Kurti tha se rritja e konsumit të energjisë elektrike që u vërejt në vitin 2021 është shkak edhe i një ndryshimi të strukturës tarifore në vitin 2017.
Ai deklaroi se në katër vitet e fundit, Kosova kurrë nuk ka pasur më shumë qytetarë që nuk e dinë se sa paguajnë për energjinë elektrike.
“Kurrë nuk ka pasur numër më të madh të qytetarëve të Republikës së Kosovës sesa në këto katër vitet e fundit që nuk e dinë se sa paguajnë për energji elektrike. Aq lirë ka qenë, sa që nuk e kanë ditur as sa paguajnë. Nuk po them që shumica janë të tillë, por numër më të madh nuk ka pasur”, ka thënë Kurti.
Seanca e së hënës(24 janar) është thirrur me kërkesë të partive opozitare: Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me qëllim që në fund të debatit të miratohet një rezolutë, që do të bënte thirrje për parandalimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, gjatë prezantimit të çështjes për diskutim tha se seanca është thirrur për ta “ballafaquar paaftësinë e Qeverisë” me krizën energjetike, duke shtuar se ekzekutivi i kryeministrit Albin Kurti, ka shpërfillur krizën derisa ajo goditi qytetarët.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku e akuzoi Qeverinë për “hipokrizi politike” pasi tha se për tema të tjera kërkon konsensus të partive politike, por në rastin për shtrenjtimin e rrymës, ekzekutivi nuk ka konsensus.
Ai tha se Qeveria Kurti reagoi shumë më vonë ndaj krizës energjetike që ka goditur rajonin dhe Europën.
“Pra, është reagimi i vonshëm, kryesisht si rezultat i paaftësisë që ka sjellë fillimisht reduktime dhe më pas rritje enorme të çmimeve”, tha Abdixhiku.
Kreu i LDK-së tha se e ardhmja e Kosovës është drejt energjisë së pastër dhe kërkoi që Qeveria të lëshojë leje për investime private në ndërtimin e kapaciteteve për energji të ripërtërishme, kryesisht të energjisë solare dhe asaj me erë.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri paralajmëroi se nëse rriten çmimet e energjisë, do të ketë efekt zinxhir në të gjithë sektorët në vend.
Ai akuzoi Qeverinë dhe Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, se nuk kanë tentuar që të gjejnë zgjidhje për krizën energjetike.
“Qeveria dhe ZRRE-ja nuk kanë qenë në bashkëpunim dhe koordinim në raport me parandalimin, gjetjen e zgjidhjes në këtë problem. Por, kanë qenë jashtëzakonisht të sinkronizuar në përcaktimin e tarifave për energji”, tha Tahiri.
Në Kosovë është paralajmëruar rritja e çmimit të rrymës, pasi, siç ka thënë Qeveria, vendi po blen rrymë me çmime të larta dhe nuk po mund të plotësojë kërkesën me prodhimin e rrymës në termocentralet ‘Kosova A’ dhe ‘Kosova B.”
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka propozuar rritje të çmimeve të energjisë për amvisëritë për 9 për qind. Qeveria ka thënë se ka ndarë 75 milionë euro që të subvencionojë një pjesë të faturave të energjisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




