Futboll

Video/ Sulmi humbet ‘busullën’, Vllaznia ngec edhe me Egnatian në Shkodër

Vllaznia shtyn sërish festën e fitores në kampionat. Për të katërtën ndeshje radhazi, shkodranët kanë barazuar, por këtë herë 2 pikët e lëna djegin më shumë, sepse i kanë lënë në stadiumin “Loro Boriçi” dhe ndaj një kundërshtari si Egnatia.

Ishin rrogozhinasit ata që shënuan të parët në fundin e pjesës së parë, kur mbrojtja e Vllaznisë nënvlerësoi Ademin dhe ky i fundit i ndëshkoi me gol. Skuadra e trajnerit Bërdariç barazoi 20 minuta para fundit me mesfushorin Ardit Krymin, i cili goditi saktë me kokë në zonë. Da Silva humbi një rast të pastër për shënim shumë pranë portës së Egnatias.

Sulmi i Vllaznisë, që është nga më të mirët e kampionatit, duket se ka humbur ‘busullën’. Në 4 ndeshjet e fundit shkodranët kanë shënuar vetëm 2 gola dhe kanë marrë vetëm 4 pikë, duke mbetur prapa me kreun. Vllaznia ka 27 pikë, kurse Tirana kryesuese 34 pikë dhe një ndeshje më pak.

Java e 17-të e Abissnet Superiores është shpërndarë në 4 ditë dhe vazhdon të shtunën me Partizani-Kastrioti dhe Teuta-Laçi, të dielën me Kukësi-Skënderbeu dhe mbyllet të hënën me derbin Dinamo-Tirana.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë