Futboll

Zgjedhjet, FSHF për Shoqatat Rajonale të Futbollit: Larg presioneve politike

FSHF ka ngritur shqetësimin për ndërhyrjet politike tek anëtarët e këtij institucioni në prag të zgjedhjeve për presidentin e ri të federatës, që do të mbahen mes muajit shkurt dhe mars.

Aldi Topçiu, drejtori juridik i licencimeve në FSHF, në një konferencë për mediat, ka thënë se këto përpjekje janë të destinuara të dështojnë.

Duke iu referuar presioneve në Shoqatën Rajonale të Tiranës, Topçiu ka treguar se ky anëtar i FSHF i është drejtuar për ndihmë FIFA-s dhe UEFA-s.

“Kemi një situatë juridike absurde. Për mendimin tim nga pikëpamja ligjoje është banale. Ky presion politik nuk është më i qartë dhe më i pastër sesa në Tiranë, ku anëtarët e Shoqatës thirren në zyrat e bashkisë duke i bërë presion me largim nga puna. Këto ngjajnë si në hetuesinë e dikurshme, me një gjendje të rënduar presioni dhe psikologjike. Shoqata Rajonale Tiranë ka njoftuar FIFA-n dhe UEFA-n dhe është kërkuar ndihmë nga këto institucione”, – tha ai.

Sipas tij, situata nuk është si në zgjedhjet politike, “ku secili është pre e më të fortit apo më të pasurit. Të gjithë anëtarët nëse nuk e respektojnë detyrimin e paanësisë politike, sipas statutit, korumi nuk do i llogaritet”.

Zyrtari i FSHF-së shtoi se përvoja ka treguar se kush kërkon ndihmën për ta drejtuar futbollin jashtë komunitetit të tij, “është i destinuar që të dështojë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë