Dosje

Atentati ndaj biznesmenit te Liqeni i Thatë, një hakmarrje ndaj të vëllait pista kryesore e hetimeve

Administratori i shkollës private në Tiranë, Lulzim Masha, i cili i shpëtoi një atentati të martën paradite pranë Liqenit të Thatë, ka kërkuar mbrojtje nga shteti.

Pas ngjarjes, 63-vjeçari i cili për fat të mirë nuk pësoi lëndime në trup nga plumbat, ka mohuar të ketë qenë shënjestra e autorëve.

Por i pyetur më pas nga grupi hetimor, Masha ka pranuar se prej të paktën një jave ka vënë re një person që e mbante nën vëzhgim.

Sipas tij, ai e ka vërejtur pranë shkollës që administron, por nuk i ka shkuar ndërmend se mund të ketë qenë objektiv i ndonjë atentati, pasi nuk ka konflikt me asnjë.

Por një tjetër pistë e fortë e grupit hetimor, është e shkuara e vëllait të Lulzim mashës. Përveç dëshmitarëve okularë dhe objektivit, ai është marrë në pyetje, pasi  rezulton person me precedent.

Disa vite më parë, vëllai i 63-vjeçarit, Fatmir Masha është dënuar me 15 vite burg për vrasje dhe hetuesit kanë dyshime mos atentati është bërë për hakmarrje. Por ai ka mohuar të ketë dijeni për ngjarjen.

“Jam larguar nga Shqipëria në 1997 dhe u ktheva para 11 vitesh ku jetoj dhe punoj pa asnjë problem. Sqaroj se kjo ngjarje nuk ka ndodhur absolutisht për shkak të të kaluarës sime”, thotë i vëllai.

Dy persona që janë pyetur nga policia me inicialet B.R., dhe A.A.,  kanë këmbëngulur se gjendeshin rastësisht tek zona e liqenit dhe se nuk kanë dijeni.

Automjeti “Mercedes Benz” i pronarit të shkollës private ‘Wilson’ u qëllua në lëvizje, në një rrugicë buzë Liqenit Artificial. Autori që qëndronte në trotuar, shkrepi 3 herë pistoletën por Lulzim Masha nuk u prek nga asnjë plumb

Aktualisht, personi që ka qëlluar me armë nuk është identifikuar akoma, ndërsa në fokus vijojnë të jenë kamerat e sigurisë rreth e përqark Liqenit Artificial, nga ku është larguar. Policia po e heton ngjarjen për akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë