Katër persona janë vënë në hetim pas aksionit të një dite më parë për shembjen e banesave te zona e “5 Majit.” Policia e Tiranës thotë se është proceduar penalisht edhe 41-vjeçari Elson Marku për “kanosje për shkak të detyrës.”
Marku ka kërcënuar publikisht kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj si përgjegjës për shembjen në mënyrë të padrejtë sipas tij të baneave te “5 Maji”.
41-vjeçari, i cili ka qenë subjekt i OFL-së me gjithë vëllain e tij, u ka bërë thirrje banorëve “që kanë kallash të fshehur në shtëpi dhe acid” që t’ia hedhin në sy kryebashkiakut një ditë “që ai nuk do të jetë më në krye të bashkisë” në shenjë hakmarrjeje.
Por Veliaj ka reaguar, duke u shprehur se nuk ka ndër mend të tërhiqet, pasi sipas tij, “agjendën e qytetit nuk e bëjnë të fortët dhe fajdexhinjtë”.
Elson Marku është një emër i njohur për Policinë e Shtetit, madje dhe objekt i OFL-së së bashku me vëllain e tij. Në janar të vitit të kaluar, dy vëllezërve u është sekuestruar 5 milionë euro pasuri.
Vëllezërit Sokol dhe Elson Marku dyshohet se pastronin paratë e drogës duke dhënë para me fajde. Dy vëllezërve nga Mirdita, por me banim në Tiranë u janë sekuestruar makina luksoze, apartamente, lokale dhe biznese të tjera.
Elson Markut deri tani i janë sekuestruar makinë tip Chrysler, BMË, Ford, Porche. Ndërsa Sokol Markut i janë sekuestruar Audi dhe tre BMË.
Sokol Marku ka qenë i dënuar në vitin 2013 me 5 vite burg për veprën Penale “Prodhim dhe shitje e narkotikeve” dhe në vitin 2016 me një muaj burg për “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”.
Po ashtu, policia ka proceduar penalisht edhe Klodian Laci, 40 vjeç, Ledion Mziu, 30 vjeç dhe Zelije Nexhi, 38 vjeçe, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Policia njofton se personat e përmendur më sipër kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë, duke treguar mosbindje ndaj urdhrave të tyre dhe duke i penguar në zbatimin e detyrës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.