Futboll

Fillon shitja e biletave për Botërorin e Katarit, çmime të lira dhe lotari

Ka nisur shitja e biletave për Botërorin e futbollit Katar 2022, që zhvillohet më 21 nëntor deri më 18 dhjetor. Çmimet e biletave janë më të ulëta në krahasim me Botërorët e mëparshëm, sipas një njoftimi të FIFA-s.

Tifozët e futbollit nga çdo vend i botës mund të blejnë bileta duke nisur nga 69 dollarë, rreth 1/3 më pak e çmimit të biletave të Botërorit 2018 në Rusi. Çmimi i një bilete për finalen mund të shkojë deri në 1607 dollarë. Organizatorët nuk kanë bërë ende me dije sa spektatorë mund të hyjnë në stadium për shkak të paqartësive që lidhen me Covid-in.

Foto ilustruese. Nje nga stadiumet me spektakolare ne Katar. Gazeta Si, 19 janar 2022

Rezidentët në Katar dhe punëtorët emigrantë, – trajtimi i të cilëve ka shkaktuar shumë polemika, – mund të marrin bileta për 11 dollarë, pra më pak se 10 euro.

Tifozët që kapin që tani oferta të ndryshme dhe prenotojnë biletat për ndeshjet që preferojnë, apo bëjnë prenotimin për një stadium të caktuar, do të marrin pjesë në një lotari që nis më 8 shkurt. Fituesit do të përcaktohen para datës 8 mars.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë