Futboll

FIFA The Best/ Robert Levandovski zgjidhet më i miri për vitin 2021

Sulmuesi i Bajernit, Robert Levandovski, ka lënë pas Lionel Mesin dhe Mohamed Salah, duke u zgjedhur “Lojtari më i mirë” për vitin 2021. Mes çmimeve të tjera të dhëna në këtë event veçohet ai i “Trajnerit më të mirë” për gjermanin e Çelsit, Tomas Tuhel, i cili la pas Roberto Mançinin e Italisë. “Portieri më i mirë” gjithashtu është nga radhët e Çelsit, Eduard Mendi.

Një hakmarrje e lehtë e Levandovskit, që pasi humbi “Topin e Artë”, këtë herë e ka mundur Mesin. Sulmuesi polak ka thyer rekordin e Gerd Mylerit me 43 gola në 34 ndeshje të Bundesligës gjatë vitit kalendarik. Çmimin e “Lojtares më të mirë” e ka fituar Aleksia Putelas e Barcelonës dhe Spanjës.

Një ngushëllim për Italinë është fakti se në formacionin më të mirë të 2021-shit nga FIFA ka tre lojtarë. Formacioni më i mirë është ky: Donaruma; Alaba, Ruben Dias, Bonuçi; Zhorzhinjo, Kante, De Bryjne; Kristiano Ronaldo, Haland, Levandovski, Mesi.

Argjentinasi Erik Lamela ka fituar çmimin e “Golit më të bukur” për 2021-shin. Ky çmim, që mban emrin e legjendës së futbollit, Pushkash, vjen për trekuartistin e Totenhemit për golin e jashtëzakonshëm që realizoi më 14 mars 2021 kundër Arsenalit. Lamela triumfoi para golave të Shik dhe Taremit.

Një çmim special është dhënë për kombëtaren e Danimarkës dhe stafin e saj mjekësor, që arritën t’i shpëtonin jetën Kristian Eriksenit më 12 qershor 2021, kur mesfushori pësoi një arrest kardiak. FIFA ka vlerësuar edhe Kristiano Ronaldon për karrierën e tij dhe për rekordet që ka vendosur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë