Kontratë për 6 muaj, me opsionin e zgjatjes për sezonin 2022-23. Kristian Eriksen ëndërron të luajë me Danimarkën në Botërorin e Katarit dhe mezi pret të kthehet të luajë. Këtë gjë pritet ta bëjë në Premier Ligë, ku Brentfordi i jep mundësinë të kthehet si protagonist.
Sipas “The Athletic”, klubi londinez i ka propozuar mesfushorit danez një kontratë deri në fund të këtij sezoni, me të drejtën e zgjatjen edhe për atë pasardhës. Bisedimet mes palëve janë në një fazë të avancuar tashmë.

Brentfordi, me vetëm një fitore në pesë ndeshjet e fundit, ka 10 pikë diferencë nga zona e rënies, kështu që do të ishte një shans i mirë për Eriksenin që të riniste butësisht të luante me një ekip komod në renditje, për të arritur gradualisht formën e humbur pas kësaj periudhe të gjatë pa ndeshje.
Pas arrestit kardiak që pësoi në Euro 2020, Eriksen zgjidhi kontratën me Interin, sepse rregullat e Serisë A nuk e lejojnë një lojtar me defibrilator që të luajë, ndryshe nga sa ndodh në Angli. Kohët e fundit Eriksen është stërvitur me Odensen në Danimarkë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




