Sot mbushen plot 554 vjet nga vdekja e figurës legjendare të Gjergj Kastriot Skënderbeu, më 17 janar të vitit 1468, në Lezhë. Ai ishte luftëtar, diplomat, burrë shteti, Heroi Kombëtar i shqiptarëve.
Gjergj Kastrioti lindi në vitin 1403 dhe i përkiste familjes mbretërore të Kastriotëve.
I ati ishte Gjon Kastrioti, udhëheqës i qyteteve më të mëdha të asaj kohe, Krujës dhe Mirditës dhe e ëma ishte Vojsava. Kur lindi Gjergji, i ati, Gjon Kastrioti, ishte sundimtar i një shteti të rëndësishëm, që shtrihej së paku nga rrethinat e Prizrenit e të Tetovës në lindje deri në detin Adriatik në perëndim.
Gjergj Kastriot Skënderbeu vdiq në moshën 63-vjeçare.
Ai konsiderohet nga shumë vende të Europës Perëndimore si heroi që pengoi Perandorinë otomane të pushtonte Perëndimin e Europës.
Për Skënderbeun, vitet deri më 1468, kur vdiq, ishin rënduar me tensione, nga veprimtari e negociata jashtë, dhe beteja papushim brenda vendit. Në vitin 1463, pas premtimeve nga Papati, Venediku dhe shtete të tjera në Itali dhe Europën Qendrore për organizimin e një kryqëzate kundër Perandorisë Osmane, veçanërisht, pasi fushata ishte shpallur zyrtarisht nga vetë Papa Pius II, Skënderbeu e shkeli traktatin e paqes me sulltan Mehmetin. Papa papritur vdiq, dhe kryqëzata e premtuar nuk ndodhi, ndërsa trojet shqiptare iu nënshtruan një shkatërrimi sistematik. Por ishte vdekja e Skënderbeut që shqiptarët të braktisin të gjitha shpresat. Legjenda thotë se, kur sulltan Mehmet II dëgjoi se Skënderbeu vdiq, bërtiti: “Më në fund Europa dhe Azia janë të mijat. Mjerë Krishtërimi që humbi shpatën dhe mburojën”. Historiani Edward Gibons (1737 – 1794) e ka krahasuar Skënderbeun me “Aleksandrin e madh dhe Pirron, bashkëatdhetar i të cilëve Kastrioti ishte”. Pas vdekjes së Heroit, shumë prijësa e princa të Arbërisë u shpërngulën në Itali.
Një numër i madh banorësh (dhjetra mijëra) emigruan gjithashtu, duke formuar koloni të mëdha arbëreshe në Italinë e jugut dhe Sicili. Fortesat kryesore si Kruja dhe Shkodra vazhduan rezistencën edhe për disa vite, dhe pastaj ranë. Historianët thonë se të paktë janë udhëheqësit e luftërave për çlirim, si Skënderbeu, të cilët kanë gëzuar njohje kaq të gjerë të veprave të tyre në rrjedhën e pesë shekujve. Një bibliografi botuar më 1881, përmbante 185 vepra historike, filozofike dhe romane mbi Skënderbeun. Ndërsa bibliografia e botuar në Tiranë (1968) me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit, përmban mbi një mijë tituj në 21 gjuhë, ndër të cilat edhe në Esperanto.
Në Shqipëri, figura e Skënderbeut mbetet legjendare, imazhi i vërtetë i një heroi, që gjithmonë ndodhej në vijën e parë të luftës, që kurrë nuk ngurroi të sakrifikonte jetën e tij për idealet e tij, për ato që ai besonte, për atdheun dhe bashkëluftëtarët e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.