Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbërritur në Prokurorinë e Tiranës, ku është thirrur këtë të enjte për t’u pyetur për protestën e dhunshme të 8 janarit, të cilën e thirri në selinë e PD kundër kryedemokratit Basha.
Në një prononcim nga shtëpia e tij, para se të merrte rrugën drejt Prokurorisë së Tiranës, Berisha tha se para organit të akuzës do të dëshmojë bashkëpunimin në shkallën më të lartë të krimit në narko-shtetin shqiptar, që sipas tij doli qartë si drita e diellit më 8 janar.
“Basha është vegël e qeverisë, aty thirrem nga Rama. Për më shumë, ju ftoj se sapo të dal nga dera e Prokurorisë, do ju informoj ju hollësisht. Basha është një vegël e qeverisë, ato i ka dërguar Rama. Aty thirrem nga Rama unë, jo nga Basha”, tha Berisha.
Një orë më pas, në prokurorinë e kryeqytetit do të paraqitet edhe deputeti Flamur Noka, i cili po ashtu do të pyetet për protestën e së shtunës para selisë së PD-së.
Por teksa Sali Berisha “shpëtoi” nga procedimi ndonëse ishte organizatori i protestës, nuk ka ndodhur kështu me Flamur Nokën i cili ishte në listën e personave të vënë nën hetim për dhunën tek selia e PD-së më 8 janar. Ndërsa të premten pritet të merret edhe dëshmia e kreut të PD, Lulzim Basha dhe deputetit Gazmend Bardhi.
Ky i fundit deri më tani akuzohet për organizimin e rezistencës brenda selisë, ku fillimisht u tha se janë përdorur lëndë kimike si dhe është qëlluar në drejtim të protestuesve. Lajmi i bë i ditur vetëm pak minuta pasi Gjykata e Tiranës vendosi të lërë të lirë 34 protestuesit e ndaluar më parë.
Në vijim të hetimeve për atë çfarë ndodhi në këtë protestë, organi i akuzës do të marrë edhe dëshminë e tyre si persona që kanë dijeni për ngjarjen.
Prokuroria i ka orientuar hetimet në disa pista, një prej të cilave është edhe identifikimi i lëndëve të panjohura të përdorura gjatë protestës.
Një ditë më parë Gjykata la të lirë 34 personat e arrestuar më 8 janar, ku vetëm 5 prej tyre u lanë nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” ndërsa pjesa tjetër ka detyrimin të paraqiten në polici.
23 prej të arrestuarve ishin pjesë e grupimit të Sali Berishës që rezultoi me një dhunë ndaj godinës së PD-së. Ndërkohë 11 të tjerë ishin persona që përkrahën Bashën dhe iu kundërpërgjigjën sulmeve nga brenda selisë.
Protesta e së shtunës kishte si objektiv marrjen e kontrollit të selisë së Partisë demokratike nga ana e Berishës dhe mbështetësve të tij. Dhuna e shpërthyer u frenua vetëm nga ndërhyrja e forcave të policisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




