Futboll

Video/ Reali gjunjëzon Barcelonën në shtesë, shkon në finale të Superkupës

Real Madrid është skuadra e parë finaliste e Superkupës së Spanjës. Në Rijad, madrilenët mundën 3-2 Barcelonën në kohën shtesë, pasi koha e rregullt përfundoi 2-2. Vinicius dhe Benzema e kaluan Realin dy herë në avantazh, por katalanasit barazuan me Jong dhe Ansu Fati.

Ndeshja u vendos nga Valverde në minutën e 98-të. Në finale Reali do ndeshet me fituesin e Atletiko-Madrid-Atletiko Bilbao. Skuadra e Ançelotit mbetet kështu në garë për trofeun e parë, Superkupën e Spanjës.

Reali e nisi ndeshjen fuqishëm dhe me shpejtësinë dhe kualitetin e sulmuesve të tij e vuri në vështirësi mbrojtjen e Barcelonës. Benzema i vodhi topin Busketsit dhe nisi Viniciusin drejt portës, braziliani goditi saktë dhe 1-0. Katalanasit provuan me de Jong, gjuajtjet e të cilit u bllokuan nga Kurtua, por në fundin e pjesës së parë holandezi barazoi me fat, pasi topin ia përplasi në këmbë Militao.

Ndeshja u ndez në gjysmën e dytë të pjesës së dytë, kur Benzema riktheu Realin në avantazh, por Barcelona ia doli të barazonte me Ansu Fatin, pas një krosi të Zhordi Albës. Ndeshja shkoi me shtesë dhe të besuarit e Ançelotit kaluan për herë të tretë në avantazh me Valverden pas një kundërsulmi vrastar. Reali në finale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë