Futboll

Alarm terrorizmi në Kupën e Afrikës, edhe maskoti lëviz me jelek antiplumb

Forca të armatosura nëpër hotele, autoblinda në rrugë dhe forca speciale. Frika për atentate të mundshme ka shtyrë organizatorët e Kupës së Afrikës marrin masa më të forta sigurie, masa që nuk kanë kursyer as maskotin e aktivitetit.

Lufta e përgjakshme civile mes trupave qeveritare dhe rebelëve, që prej 4 vitesh ka përfshirë Kamerunin dhe që u ka kushtuar jetën më shumë se 3000 personave dhe ka detyruar më shumë se 70000 të largohen nga vendi, ka sjellë pasoja edhe në Kupën e Afrikës. Frika se mund të bëhen atentate ka shtuar masat e sigurisë së futbollistëve, të cilët po mbrohen nga forca të armatosura. Këto forca qëndrojnë para hoteleve, në fushat e stërvitjes dhe në stadiume.

Foto ilustruese. Gazeta Si, 12 janar 2022

Në rrugë shihen autoblinda që patrullojnë gjithë kohën për të garantuar respektimin e orarave policore të vendosura nga autoritetet, në mënyrë që lojtarët dhe tifozët të jenë të mbrojtur. Edhe maskoti i kompeticionit, luani ‘Mola’, është detyruar të mbajë një jelek antiplumb për të ulur rrezikun gjatë ndeshjeve.

“Futbollistët janë të shqetësuar, sidomos pas disa kërcënimeve që kanë marrë, – thotë një burim i Premier Ligës për “Mirror”, – por është dhënë garancia se do të bëhet gjithçka për t’i mbrojtur me impenjimin e forcave speciale, të gatshme të ndërhyjnë në rast rreziku apo të ndonjë sulmi”.

Këtë vit janë 40 lojtarë të kampionatit anglez, mes të cilëve Mohamed Salah dhe Sadio Mane të Liverpulit, Riad Mahrez i Mançester Sitit dhe Pierr-Emerik Aubamejang i Arsenalit, që marrin pjesë në Kupën e Afrikës me kombëtaret e tyre.

Foto ilustruese. Trofeu i Kupes se Afrikes. Gazeta Si, 12 janar 2022

“Shumë lojtarë janë nga zona të Afrikës, ku ka pasur edhe më parë probleme sigurie, si Nigeria apo Bregu iFildishtë, kështu që janë mësuar me këtë situatë. Pastaj, janë krenarë të luajnë për vendin e tyre, ndaj nuk do t’i zhgënjenin kurrë tifozët e tyre’, – ka shtuar i njëjti burim. Të gjithë kujtojnë ende atentatin terrorist që ju bë autobusit të Togos në Angola në 2010-ën, ku humbën jetën 2 persona.

“Janë marrë masa shumë të forta për të garantuar sigurinë në Kupën e Afrikës, kështu që aktiviteti mund të vazhdojë pa dyshime”, – ka thënë për tabloidin anglez Engamba Ledoux, komandant i forcave të sigurisë, kurse ekspertja e të drejtave njerëzore, Rebecca Tinsley, e ka përkufizuar situatën si “të tmerrshme”, duke pohuar se rreziku për atentate nga rebelët është serioz.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë