Drejtësia

Foto-Video/ Beteja për selinë e PD, lirohen protestuesit e Berishës dhe grupi i Bashës. Për shumicën detyrim paraqitje

Pas thuajse 5 orësh seancë gjyqësore, Gjykata e Tiranës ka liruar të 34 protestuesit që u arrestuan nga policia pas protestës së 8 janarit të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Gjykata caktoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për 28 prej të arrestuarve, ndërsa 6 të tjerët do të hetohen në gjendje të lirë.

Seanca ishte e ndarë në dy pjesë, në fillim u zhvillua për protestuesit mbështetës të Sali Berishës, ndërsa më pas u zhvillua seanca e të arrestuarve që ishin në katin e dytë të selisë blu. Prokurori i çështjes deklaroi në sallë se brenda selisë së PD-së, nuk ishte gjetur asnjë gjë e paligjshme.

Mes personave të arrestuar dhe të liruar më pas, kishte edhe qytetarë nga Kosova, për të cilët asnjë palë nga përfaqësuesit nuk i doli në mbrojtje, duke ngritur pikëpyetje se cilit grup i përkisnin.

Prokuroria kishte ngritur një ditë më parë disa akuza për të arrestuarit: “Shkatërrim prone”, “Prishje e qetësisë publike”, “Shkelje e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, si dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe armëve të ftohta”. Ndërsa i kërkoi gjykatës, që 29 prej personave të vënë në pranga të hetoheshin në masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje” dhe 5 të tjerë në “arrest shtëpie”.

Përfaqësuesit mbrojtës mohojnë akuzat

Deputetja e PD, Albana Vokshi

Deputetja e PD, Albana Vokshi, ka deklaruar pas përfundimit të seancës se u vërtetua se të arrestuarit ishin vënë në pranga në mënyrë të paligjshme.

Vokshi tha se 18 nga 34 të arrestuarit, të cilët ishin pjesë e protestuesve, janë ndaluar dhe shoqëruar në ambiente shumë larg selisë së PD-së edhe pa pasur asnjë fakt. Kjo sipas saj për të vetmen arsye, pasi listat me të arrestuarit kanë qenë të përgatitura dhe të shpërndara nga brenda PD.

Avokati i mbështetësve të Lulzim Bashës të arrestuar në protestën e 8 janarit, Indrit Sefa është shprehur se ndaj 11 të arrestuarve, Prokuroria nuk ka pasur asnjë provë.

Sefa në fjalën e tij para mediave është shprehur se janë kontrolluar të gjithë zyrat e deputetëve dhe zyrtarëve të PD-së në selinë blu dhe nuk është gjetur asnjë mjet i dyshimtë. Sipas tij nga 11 të ndaluarit, vetëm për dy është ngritur akuza e gjuajtjes me ujë.

Seanca nisi e ndarë mes grupeve të Bashës dhe Berishës

Për shkak të numrit të madh të të arrestuarve seanca, e cila nisi rreth orës 10:30, zgjati disa orë dhe ata dolën para gjykatës të ndarë në dy grupe, teksa 23 protestues ishin mbështetës të Sali Berishës dhe 11 të tjerë të grupit të Lulzim Bashës.

Nën batutat e avokatëve që i identifikonin, “nuk janë tanët, janë të Vrana Kontit”, gabimisht policia futi të parët në kafazin e gjykatës të arrestuarit që u identifikuan si mbështetësit e Lulzim Bashës.

E vetmja gjë që i bashkoi mbështetësit e të dyja palëve, ishin gishtat lart. Të ndarë dhe veç e veç, mbështetësit e Berishës thërritën “Basha ik”, teksa avokatët e tyre mbrojtës, i mbështetën, duke shtuar, “këta janë tanët, janë të katit të parë. Ata të parët që sollën, nuk janë tanët, janë të katit të dytë”, duke nënkuptuar se përmes kateve, të arrestuarit e protestës së 8 janarit ishin të ndarë sipas pozicioneve ku qëndruan në selinë e Partisë Demokratike.

Debati i Stresit me gjyqtarin gjatë seancës

Mes protestuesve pro-Berishës, në pritje të masës së sigurisë, ishte edhe reperi i njohur, Arkimed Lushaj, i njohur ndryshe edhe si Stresi.

I pyetur si person nën hetim ai ka deklaruar se nuk e pranon akuzën, pasi ai nuk ka kryer asnjë vepër penale nga ato që policia i ka listuar.

Stresi pranon se ka marrë pjesë në protestë, por nuk ka kryer asnjë veprim të kundërligjshëm. Ai u shpreh se nuk e kupton arsyen e arrestimit në kushtet kur nuk ka kryer asnjë vepër penale e veprim të kundërligjshëm.

Para gjykatësit, Lushaj tha se është hera e parë për të që arrestohet pa bërë gjë. “Është hera e parë që arrestohem pa bërë asgjë”, ndërsa gjyqtari replikoi: “Kështu me ke thënë dhe radhën e parë”, me këngëtarin që theksoi: “Atëherë foli avokati, jo unë”.

Po ashtu, në ambientet e gjykatës ishin të pranishëm deputetë të Grupit të Rithemelimit, si Oerd Bylykbashi, Albana Vokshi, Klevis Balliu e Çlirim Gjata, të cilët po ndjekin seancën, e cila pritet që të zgjasë disa orë.

Bardhi “sherr” me policin: Më pyet nëse nuk ma di emrin

Ndërkohë, në mbështetje të personave të ndaluar të grupit të Bashës, kanë qenë në gjykatë disa funksionarë të PD, ku spikaste deputeti dhe Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi.

Ai ndodhej i shoqëruar dhe në një sallë tjetër të gjykatës për të shmangur një përplasje të mundshme me mbështetësit e Berishës.

Por gjatë momentit që Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, është futur në Gjykatën e Tiranës për të ndjekur seancën ndaj të arrestuarve për protestën e 8 janarit, është regjistruar një incident verbal.

Në hyrje, Bardhi ka hasur kundërshtinë e policit-rojë të gjykatës, i cili nuk e ka lejuar që të futet në sallën e gjyqit. Shkak është bërë celulari i Sekretarit të Përgjithshëm, që sipas policit nuk duhej futur në sallë.

Por kjo është kundërshtuar nga avokatët që shoqëronin Bardhin, ndërsa pas disa çastesh debati, deputeti u la që të futej në sallë të gjyqit. “Më pyet nëse nuk ma di emrin”, – iu drejtua Bardhi rojës.

Dosja e sulmit, telefonata e parë në polici në orën 12:50

Në dosjen e prokurorisë thuhet se një ditë para protestës në komisariatin dixhital është bërë një denoncim, ku persona të armatosur ndodheshin brenda selisë blu.

Sa i takon ndërhyrjes policore, në dosje nënvizohet se me gjithë planin e masave, në datën 8 janar policia u njoftua për ndihmë nga një qytetar brenda PD në orën 12.50, i cili ka nënvizuar se ndihej i kërcënuar.

Vetëm 10 minuta më pas në sallën operative të policisë ka ardhur një tjetër telefonatë, këtë radhë nga ana e deputetëve te PD, dhe që ka bërë vënien e menjëhershme në lëvizje të uniformave blu.

Më pas në rrjete sociale qarkullonte një foto e disa personave të veshur me të zeza dhe kapuç, mes tyre edhe pastruesja, ku ka nisur verifikimi i tyre dhe roli që ata kanë në selinë blu.

Në bilancin e prokurorisë nënvizohet se të arrestuarit akuzohen për vepra penale të ndryshme si “Shkatërrim prone”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Mes të arrestuarve kishte edhe persona nga Kosova, të cilët janë arrestuar nga policia, ndërkohë që kanë mohuar të kenë pasur lidhje me protestën. Ata janë ndaluar në një kafe pranë selisë së PD dhe kanë thënë se në Tiranë ndodheshin për të përcjellë një të afërmin e tyre që nisej për Norvegji.

Ndërkohë nën hetim për protestën e dhunshme të 8 janarit, janë edhe Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, pasi akuzohet për shkelje të rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse dhe radioaktive” dhe “Stërvitja për prodhimin dhe përdorimin e paligjshëm të armëve e lëndëve të tjera të rrezikshme” dhe Flamur Noka, deputeti tjetër nën hetim për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Pjesë e hetimit për këtë çështje do të jetë edhe marrja në pyetje e Lulzim Bashës dhe Sali Berishës ndërkohë që prokuroria ka deklaruar se po heton dhunën nga brenda e jashtë selisë së PD.

Personat e liruar pas seancës:

Shaban Halili, Gentjan Lamnica, Agron Gjura 36 vjeç, Xhevahir Georgiev 32 vjeç, Alban Zaimi 46 vjeç, Arkimed Lushaj 35 vjeç, Hajredin Gjura 41 vjeç, Denis Luku 43 vjeç, Valdrin Dervishaj 33 vjeç, Arben Dervishaj 37 vjeç, Orges Dervishaj 20 vjeç, Qendrim Dervishaj 26 vjeç, Arben Dervishaj 39 vjeç, Selman Krasniqi 42 vjeç, Albano Sotolaj 32 vjeç, Ber Begeja 38 vjeç, Duleman Marku 51 vjeç, Mirash Rrathtori 48 vjeç, Emiliano Çekini 30 vjeç, Gjon Pepaj 37 vjeç, Klavdo Çekini 36 vjeç, Armando Çardaku 29 vjeç, Agustin Pali 28 vjeç , Oltion Zenelaj 39 vjeç, Albi Peti 28 vjeç, Arian Mezini 41 vjeç, Ardian Myrto 37 vjeç, Ylli Gosturani 46 vjeç , Armando Alldervishi 36 vjeç, Vendim Demaj 48 vjeç, Afrim Deda 46 vjeç, Sokol Ndreu 52 vjeç, Orian Meta 34 vjeç dhe  Stivi Luku 23 vjeç.

Personat nën hetim

Gazment Bardhi, Flamur Noka, Resul Fidani, Jurgen Rexhepi, Dritan Konda, Arif Bicprendi, Ergys Hoxha, Irel Elezi, Azem Çira, Dori Alikaj, Aleks Marku, Argjend Ferati, Ismail Ferati, Senad Gucija, Julzim Kokomani, Zyber Kokomani, Armand Lekgegaj dhe  Gjok Nikolli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë